E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen 12 dynymë truall në Malin e Robit

Sokol Çobo

Zbardhet vendimi i gjykatës, prona ishte kënetë shtetërore dhe është kthyer si pyll 

Një truall prej 12 dynymësh është sekuestruar në Malin e Robit, Kavajë, pranë vijës bregdetare. Prona është konsideruar pyll kur në fakt ka qenë thjesht zonë moçalore në pronësi të shtetit dhe nuk ka pasur pronar. Gjykata e Tiranës kë zbardhur vendimin që mban numrin 943 akti ku detajohet i gjithë transformimi i këtij trualli që ishte destinuar për ndërtime shumëkatëshe. Sipas gjykatës, prokuroria ka nisur hetimet me dyshime të arsyeshme se me anë të një vendimi të vitit 2002 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve në Tiranës, i është njohur dhe kthyer trashëgimtarit të familjes Felaji një sipërfaqe toke në vendin e quajtur Mali i Robit, në kufi me rërën e plazhit e cila ka qenë zonë kënetore. Vendimi për kthimin e kësaj shume është firmosur nga topografi Fatmir Sh., i cili është marrë i pandehur. Ndërkohë, prokuroria ka kryer një ekspertim topografik dhe ka arritur në konkluzionin se prona e pretenduar është pozicionuar në mënyrë të gabuar nga ana e KKKP Tiranë. Gjykata në vendim argumenton se i janë marrë deklarime Nikolla F. në lidhje me origjinën e dokumentit të përdorur prej tij në KKKP. Ai ka pohuar dokumentin (tapinë) e ka pasur prej shumë vitesh në banesën e tij, ruajtur nga babai, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1964 dhe nuk ka pasur dijeni për falsitetin e saj. Ky shtetas ka deklaruar se nuk e disponon më origjinalin e notës së transkriptimit, pasi origjinalin e saj e ka dorëzuar në KKKP dhe nuk ka mbajtur kopje të saj. I janë marrë deklarime kryetarit të KKKP, Robert Kreçi i cili ka deklaruar se shtetasi Nikolla F., pas marrjes së vendimit nga KKKP ka dorëzuar në AKKP një kopje të origjinalit dhe ka tërhequr dokumentin origjinal. Akuza pohon se shtetasi Fatmir Sh, dyshohet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë, Nikolla F. është marrë i pandehur me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

s.çobo

Sekuestrohen 12 dynymë truall në Malin e Robit burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›