E braktis i dashuri, 40-vjeçarja tenton vetëmbytjen, e shpëton policia
Forcat e rendit, të lajmëruara për dikë që rrezikonte të vetëvritej, kanë ndërhyrë dhe pasi kanë biseduar me të, i kanë shpëtuar jetën gruas që ishte gati të hidhej në liqen
Gjirokastër-Duket se ndërhyrja e efektivave të policisë së Gjirokastrës ka qenë vendimtare për të shpëtuar jetën e një 40-vjeçareje teksa ajo, në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike, ka tentuar të vetëflijohet. Gruaja ka thënë pas shpëtimit se ajo donte të vetëvritej, pasi ishte braktisur nga i dashuri. Policia tha se 40-vjeçarja ishte në gjendje të rëndë dhe depresive.
Denoncimi
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, mesditën e së hënës, në sallën operative të policisë lokale ka ardhur një telefonatë që bënte fjalë për një banore të qytetit të Gjirokastrës, e cila po lëvizte pa një adresë të caktuar në zonën pranë liqenit të Viroit. Sipas kësaj telefonate, një grua rreth të 40-ve po lëvizte më këmbë në shi, pa çadër, në drejtim të liqenit të Viroit, ndërkohë që dukej shumë e shqetësuar. “Pas marrjes së këtij informacioni, menjëherë Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër është nisur në drejtim të liqenit të Viroit”, - thonë burimet policore. Pasi kanë mbërritur në zonën për të cilën bënte fjalë telefonata, efektivat blu kanë konstatuar se në pjesën e poshtme të parkut të Viroit, ku bashkohet uji që shkarkohet nga liqeni me ujërat e lumit Drino, e njohur ndryshe si “Shkuma e Viroit”, një grua po tentonte të vetëmbytej. Nuk dihet ende se kush ishte denoncuesi i rastit, por duket se bëhet fjalë për dikë që ka kuptuar qëllimin e gruas dhe që ka njoftuar menjëherë policinë.
Ndërhyrja
“40-vjeçarja me inicialet H.K., nga Gjirokastra, kishte qëndruar në këtë vend ku ndodhet një gropë rreth katër metra e thellë, e mbushur me ujë, dhe po tentonte të hidhej në ujë”, - thotë një efektiv i policisë së Gjirokastrës, i pranishëm në vendngjarje. Në momentin kur ajo tentoi të hidhej në ujë, punonjësit e Patrullës së Policisë i kanë bërë thirrje që të ndalonte. “Duke parë se gruaja ishte në gjendje të rënduar psikologjike, ne tentuam të komunikonim me të.
Pasi e ndaluam në momentin që tentoi të hidhej në ujërat e rrëmbyeshëm, e larguam prej atij vendi”, - thonë burimet policore. Pasi është shoqëruar për në policinë lokale, gjatë intervistimit 40-vjeçarja i ka pohuar grupit hetimor se ka tentuar t’i japë fund jetës si shkak i mosfunksionimit të lidhjes së dashurisë që ajo kishte me një person. Sipas policisë, 40-vjeçarja H.K ishte divorcuar përpara disa vitesh nga bashkëshorti i saj. Pas qetësimit të gjendjes psikologjike, policia ka shoqëruar për në banesë pranë të afërmve të saj gruan 40-vjeçare. Bledar Shehu