Sekuestrohet libraria Toena. Toci:Ngjarja për motive politike
TIRANE- Sekuestrohet libraria “Toena” në kryeqytet. Policia tatimore ka sekuestruar librarinë në një qendër tregtare në autostradën Tiranë- Durrës. Sipas drejtorit të shtëpisë botuese Toena, Fatmir Toci ky është një sulm i hapur politik për shkak të kandidimit të tij si deputet i Partisë Socialiste.
“Për këtë gjë jam njoftuar nga punonjësit e mi, pasi unë ndodhem për fushatë. Më thanë se punonjësit e tatimores kanë vajtur dhe kanë sulmuar bankinën promocioanale me pretendimin se kjo bankinë nuk ka një numër nipti të dytë. Punonjësve të tatimores u janë vrarë sytë nga posteri dhe publikimi që po i bëhet librit të Ben Blushit, ata nuk e kanë duruar dot këtë gjë”- u shpreh Toci.
Përmes një lidhje telefonike për NEWS24 Toci deklaroi se u sekuestruan rreth 100 libra të Ben Blushit, cka tregon qartë se sulmi është politik. Më tej ai shtoi se “ky është një sulm politik për të denigruar figurën time dhe biznesin tim, ska kuptim të mbahen qëndrime të tilla. Ky është një sulm i hapur politik”- theksoi Toci në lidhjen telefonike me “NEWS24”. (a.r/news24/balkanweb)