Sekuestrohet në Igumenicë 122 kg kanabis, vinte nga Shqipëria
IGUMENICE- Trafiku i drogës në drejtim të shtetit grek vijon, ndonëse policitë kufitare të të dyja shteteve po survejojnë pa pushim zonat e dyshuara për ndalimin e trafikantëve. Plot 122 kg bimë narkotike e llojit kanabis sativa u sekuestruan në orët e para të mëngjesit të djeshëm në afërsi të kufirit shqiptaro-grek, nga Policia e Igumenicës. Sipas burimeve policore greke, Policia Kufitare e ajo e Antidrogës kanë pikasur herët në mëngjes dy makina që po lëviznin nga kufiri mes Sarandës dhe Igumenicës, për në brendësi të tokës greke. Për këtë është ngritur një postbllok në vendin e quajtur Neohor në Igumenicë. Thirrjes për të ndaluar i janë përgjigjur të dyja mjetet. Në njërin nga automjetet, tip Fuoristradë, që drejtohej nga një shtetas grek 43-vjeç, policia ka gjetur 93 pako me sasi rreth 122 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Ndërkohë, sipas Policisë, automjeti i dytë që drejtohej nga një tjetër shtetas grek 30 vjeç shërbente si shoqërues i makinës me drogë. Dy trafikantët janë arrestuar, ndërkohë që sasia e drogës është sekuestruar. Gjatë hetimeve, dy grekët kanë pranuar se drogën e kishin ngarkuar në kufi nga disa shtetas shqiptarë që nuk i njihnin dhe se destinacion i mallit ishte kryeqyteti, Athina. Ky është rasti i katërt në dy muajt e parë të vitit që sekuestrohet drogë në Greqi e që dyshohet se vinte nga Saranda. Gjithsej janë kapur 1.897 kg, në dy raste në rrugë tokësore, e në dy raste në rrugë detare. Dy javë më parë, policia greke ndoqi nga kanali i Korfuzit deri në Patra një gomone 11 metra të gjatë, e cila më pas u gjet e braktisur me më shumë se 1.2 tonë hashash dhe 1 kallashnikov. Policia u vu në ndjekje të trafikantit, pasi mjeti me të cilën po trafikohej droga u kap nga radarët. Ditën e ngjarjes, policia nuk kapi dot skafistin, por një 42-vjeçar i cili priste me furgon të ngarkonte drogën që vinte nga Shqipëria. Pikërisht ky i fundit i ka drejtuar hetuesit në Lefkadha të Greqisë, prej nga ku ishte porositur sasia e drogës. Ata ushtruan kontroll në një magazinë, ku gjetën trajlerin me të cilin është transportuar gomonia Ilios T.I. 310 nga Lefkadha në Patra. Më pas u arrestua edhe pronari i trajlerit dhe i magazinës, një 50-vjeçar grek që rezulton të jetë porositësi i drogës. Edhe Policia Kufitare e Sarandës ka nisur hetimet për trafikimin e sasive të ndryshme të drogës drejt shtetit grek, si në rrugë detare, ashtu edhe në rrugë tokësore.