Sekuestrohet një celular gjatë kontrolleve në IEVP Fier

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Një aparat celular është sekuestruar gjatë kontrollit të ushtruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kontrollet u zhvilluan nga grupi i sigurisë, nën drejtimin e drejtuesit të institucionit, në godinën B, sektorët 1 dhe 2 të IEVP Fier.
Gjatë kontrollit ndaj të dënuarit me inicialet L.K., u konstatua dhe u sekuestrua një aparat celular i tipit “iPhone”.
Për rastin është mbajtur raport incidenti, ndërsa i dënuari është dërguar në veçim. Materialet procedurale i janë referuar strukturave kompetente për veprime të mëtejshme.
Kontrollet në institucionet e vuajtjes së dënimit vijojnë në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë dhe garantimit të zbatimit të rregullores së brendshme.
/e.i/a.f/r.e/