Sekui: BE, 100 mln euro për Drejtësinë shqiptare

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui
Ambasadori Etore Sekui tha dje se Bashkimi Europian ka dhënë 100 milionë euro për sistemin shqiptar të Drejtësisë që nga viti 1998 e deri tani.
Deklarata është bërë dje në mbledhjen e Bordit Drejtues të misionit PAMECA III. Etore Sekui, ambasador i BE-së në Shqipëri, i pranishëm në prezantimin e fazës përfundimtare të projekt-raportit të misionit europian të asistencës policore, i kujtoi Drejtësisë shqiptare fondet që BE ka dhënë për sistemin e Drejtësisë. Për këtë arsye, në një kohë që PAMECA është në përfundim të misionit 8-vjeçar, sipas ambasadorit Sekiu, duhen prezantuar edhe rezultatet nga ana e Policisë. “Nga viti 1998 ne i kemi dhënë Shqipërisë 100 milionë euro për sistemin e Drejtësisë. PAMECA është pranë përfundimit të misionit 8-vjeçar dhe Shqipëria pranë raportit të progresit. Ne duhet të pyesim: cilat janë rezultatet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar? Luftoni krimin e organizuar”, u shpreh dje ambasadori Sekui. Fokusi i vlerësimeve ka qenë rendi dhe siguria publike, krimet e rënda dhe ato të organizuara, menaxhimi i integruar i kufijve, si dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Këto janë katër fushat për të cilat PAMECA i ka dhënë detyra konkrete Policisë së Shtetit, pasi nëpërmjet tyre synohet plotësimi i standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Polici-Prokurori
Gjatë fjalës së tij, ambasadori i BE në Shqipëri, Etore Sekui, preku edhe strukturat policore, eficiencën e Patrullës së Përgjithshme dhe të Policisë Rrugore. Gjithashtu, nivelin e profesionalizmit që kanë këto struktura, duke përfunduar më pas me kërkesën për bashkëpunim mes Policisë dhe Prokurorisë. “Është momenti të ngremë disa pyetje në lidhje me eficiencën e strukturave të Policisë, të Patrullave të Përgjithshme dhe Policisë Rrugore. Duhet të pyesim veten për nivelin e profesionalizmit që kanë strukturat policore. Progresi i tyre nuk mund të varet vetëm nga asistenca jonë”, u shpreh Sekui. Ai vazhdoi më tej duke kërkuar një mirorganizim të punës, si dhe bashkëpunim. “Krimi i organizuar mund të luftohet vetëm nga një punë e mirorganizuar nga Policia.
Nishani
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, vlerësoi rolin e misionit PAMECA. “Në sfidat që institucioni i Policisë së Shtetit përballet sot, të cilat janë sfida jo vetëm të vendit tonë, aktivitetet e Policisë sonë të asistuara nga ekspertiza evropiane, synojnë të zbatohen në standardet e kërkuara europiane, për të cilat të gjithë ne kemi pritshmëritë tona realiste. Kështu, sot shohim se nga viti 2009 në 2011-n shënojmë një ndryshim prej 20% më shumë në rritje të të arrestuarve në flagrancë e të vënë në masë sigurimi, 10% më shumë të ndaluar, 12% krime të evidentuara më tepër.Llalla
Një ndër komponentët e vlerësuar në projekt-raportin e Misionit PAMECA III ishte edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kreu i ILDKP, Adriatik Llalla, tha se punonjësit e administratës tashmë i kanë sofistikuar praktikat e fshehjes së pasurive. Për këtë arsye, po bashkëpunojmë dhe na kanë ardhur shumë në ndihmë ekspertët e PAMECA-s, me metoda speciale të hetimit, në mënyrë që të zbulojmë çdo rast. ILKDP po ndjek shembullin e hetimit të vendeve europiane, siç është Spanja dhe Gjermania, metodat e të cilave kanë rezultuar mjaft produktive.Shefi i PAMECA
Cesil Craig, drejtuesi i Misionit PAMECA III, i kërkoi Policisë shqiptare përmirësim në shërbimin rrugor. “Duhet të vazhdojë puna për përmirësimin e Policisë Rrugore. Rishikimi i strukturave të Policisë së Shtetit tashmë ka nisur dhe duhet vënë në zbatim, siç është parashikuar që të ketë më shumë punonjës policie në terren dhe më pak punonjës në nivel drejtues. Duhet shtuar numri i punonjësve të Patrullës së Përgjithshme dhe të marrin më shumë kompetenca në kontrollin rrugor”, u shpreh Craig. Ai tha se PAMECA mbështet strukturën e hetimit të Krimit të Organizuar, si dhe, sipas tij, menaxhimi i kufijve vazhdon në mënyrë shumë efektive.
ETLEVA DELIA