E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes pacienti, dënohet mjeku i Cërrikut

Gjykata e Elbasanit

Dënohet me 1 vit burg mjeku i Cërrikut. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka shpallur fajtor për veprën penale të mjekimit të papërgjegjshëm Ylli Muçën.
Seanca e fundit gjyqësore për mjekun është zhvilluar në Gjykatën e Elbasanit pa praninë e mediave, ndërsa çështja në fjalë ka katër vjet që gjykohet dhe rigjykohet, pasi asnjëherë mjeku nuk e ka pranuar akuzën e bërë nga familjarët e viktimës. Prokurori i çështjes, Binas Mina, dha pretencën për një vit burg për mjekun, e cila u mbështet edhe nga trupi gjykues i kryesuar nga Taulant Tafa, për mosdhënie të ndihmës së parë dhe neglizhencës që mjeku ka treguar ndaj pacientit. Denoncimi vjen për ngjarjen e katër viteve më parë, kur u aksidentua rëndë 45-vjeçari Hajri Nasufi, baba i tre fëmijëve, me banim në fshatin Mollas. Ngjarja ndodhi në shtator të vitit 2008, pasi Nasufi u përplas me makinën e tij dhe, për rrjedhojë, humbi jetën pas rreth 15 orësh në spitalin “Nënë Tereza” të Tiranës. Transportimi u bë me urgjencë nga ana e familjarëve të tij, të trembur për fatin e njeriut të tyre. Sipas denoncimit të bërë në polici, ata e kishin çuar fillimisht Nasufin në urgjencën e spitalit të Cërrikut, kur ishte dhe mjeku i familjes, Ylli Muça. Ky i fundit, sipas familjarëve, u ka thënë që ta dërgonin në shtëpi të aksidentuarin, duke i sqaruar se është gjë që do të kalojë. Në të vërtetë, i aksidentuari pësoi vdekjen në spitalin e Tiranës, pasi sipas mjekëve, nga goditja e fortë në gjoks humbi jetën nga hemorragjia e brendshme. Pas vdekjes, familjarët e tij kanë denoncuar rastin në Prokurori, me pretekstin se 45-vjeçari vdiq si pasojë e mosmarrjes së ndihmës së parë dhe mjekimit të duhur. Prokuroria nisi hetimet rreth denoncimit në fjalë dhe për katër vjet kjo çështje gjykohej dhe rigjykohej për mungesë provash dhe për mohim të akuzës nga ana e mjekut dhe avokatit të tij mbrojtës. Vetëm ditën e mërkurë gjykata vendosi të dënojë me një vit heqje lirie mjekun, pasi ky i fundit nuk e ka shtruar në spital viktimën pas aksidentit, por e ka dërguar atë në shtëpi. Mësohet se mjeku gjatë seancës së djeshme gjyqësore ka deklaruar se e ka dërguar të aksidentuarin në shtëpi, pasi nuk kishte asnjë pajisje dhe asnjë mjet për ta kuruar atë në spitalin e Cërrikut. Me këtë pretendim mësohet se është mbrojtur mjeku. Pasi ka mbaruar gjyqi, mjeku Muça dhe avokati i tij janë shprehur se do ta apelojnë menjëherë çështjen në Gjykatën e Apelit. Ky është dënimi i parë i kësaj natyre në qarkun e Elbasanit.

Arrestimi
Në varësi të vendimit të Gjykatës së Apelit pritet të vendoset dhe për masën e sigurisë ndaj mjekut Ylli Muça. Avokati i tij deklaroi dje se do të ankimojë në Apel vendimin e Gjykatës së Elbasanit, pasi mjeku është i pafajshëm dhe ka kryer detyrën ditën e aksidentimit të Nasufit. Pritet që masa ndaj mjekut të vendoset vetëm pas gjykimit në Apel, nëse do të lihet në fuqi dënimi me burg apo jo i Muçës. Në rast se edhe kjo gjykatë jep të njëjtin vendim, atëherë mjeku i familjes arrestohet nga Policia me vendim të Prokurorisë.

Mjeku vazhdon detyrën në Cërrik
Pavarësisht procesit gjyqësor që u zhvillua për rreth 4 vjet me radhë, mjeku Ylli Muça ka vazhduar punën në Cërrik si mjek familjeje. Tashmë është në kompetencat e Urdhrit të Mjekut të vendosë se si do ta trajtojë çështjen e mjekut të familjes, i akuzuar për neglizhencë gjatë kryerjes së detyrës. Ai ka qenë në detyrë edhe ditën e gjykimit, ndërsa ka kërkuar në çdo moment shpalljen e pafajësisë së tij në këtë rast.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›