Sekui: Bashkëpunimi PD-PS të japë rezultate

Etore Sekui
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui, ka kërkuar respektimin e marrëveshjes PD-PS për realizimin e reformave. Sekui duke folur në një takim për vlerësimin e përmbushjes së kritereve të Shqipërisë për statusin kandidat, ka theksuar se tani është koha që të vilen frytet e dialogut mazhorancë-opozitë.
Të zbatohen reformat dhe marrëveshja politike e arritur mes palëve në nëntor, u shpreh ambasadori. Sekui duke rikujtuar se me 3 maj në Tiranë do të mbërrijë Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, bëri thirrje për përmbylljen e reformës parlamentare dhe zgjedhore deri atëherë.
Është e rëndësishme që deri atëherë të ketë arritje për të treguar se gjërat po ecin në drejtimin e duhur, ai duke shtuar se KE është gati të japë udhëzime për marrjen e statusit kandidat.
Ndërsa nga ana tjetër ministrja e Integrimit, Majlinda Breku, më në fund ka ndryshuar qëndrim duke pranuar se statusi është në dorë të tyre dhe jo të opozitës.
Ne e kemi në dorë ti kryejmë detyrimet tona. Sa më mirë ti plotësojmë aq më të lehtë do e kemi ti kërkojmë Komisionit Evropian që të vlerësojë në shtator arritjen e statusit kandidat. Procesi varet nga ne vetë, nga ecuria dhe zbatimi i detyrimeve, u shpreh Bregu. /F.Stafa/