E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekui: Gjuha ime e preferuar është ajo e bashkimit

18/10/2011  Replikat Topi–Topalli tërheqin vëmendjen e ambasadorëve në vendin tonë

Akuzat e ndërsjella mes Presidentit Bamir Topi dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli, konkretisht ato për gjuhën shqipe, janë ndjekur me vëmendje të veçantë edhe nga ambasadorët e huaj në vendin tonë. Konkretisht ambasadori i BE-së në vendin tonë, Etore Sekui, në një dalje të shkurtër mediatike nga qyteti i Shkodrës u shpreh dje se gjuha më e këndshme për veshin e njeriut është gjuha e bashkimit. Ky qëndrim pason debatin mes Topit dhe Topallit. “Një nga motot e BE-së është të jemi të bashkuar në diversitetin tonë, të ndryshëm, por të bashkuar. Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi gjuhë të ndryshme, por ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Nëse më pyesni se cila është gjuha që unë kam më qejf, unë do të përgjigjem thjesht: gjuha ime e preferuar është gjuha e bashkimit”, - iu përgjigj gazetarëve Sekui nga Shkodra, ku ndodhej për një vizitë në qendrën e informimit të BE-së në Shkodër.

Raporti i KE-së

Ambasadori i BE-së gjatë fjalës së tij u ndal mbi raportin e progresit të KE-së, ku Shqipërisë iu refuzua marrja e statusit të vendit kandidat për integrimin e saj në familjen europiane. Sekui theksoi se, pavarësisht kësaj, BE-ja do të ndihmojë, por politika duhet të mbajë përgjegjësi për vendin. “Evropa është këtu për t’ju ndihmuar, por integrimi në BE duhet të jetë një prioritet kombëtar i Shqipërisë”, - tha Sekui. Më tej ambasadori komentoi dhe rreth raportprogresit të BE-së për Shqipërinë, ku deklaroi se në muajin dhjetor do të diskutohet në BE për ecurinë e Shqipërisë në periudhën tetor 2010-shtator 2011. Ambasadori Sekui kërkoi gjithashtu që në kohën në vijim duhet të punohet shumë që të merren sinjale pozitive se vendi ka ecur shumë për zbatimin e rekomandimeve të BE-së. “Në dhjetor shtetet anëtare të BE-së do të diskutojnë raportin e progresit për një periudhë që mbulon tetorin e 2010-s deri në shtator të 2011-s. Në rast se në këtë periudhë do të vihen re ecuri lidhur me 12 prioritetet e vendosura nga BE-ja, atëherë ato do të merren parasysh nga Këshilli i Europës. Reforma zgjedhore është vetëm një nga 12 prioritetet. Komisioneri Fyle ka thënë se, që të ketë ecuri përpara në zbatimin e prioriteteve kyçe, duhet të ketë sinjale pozitive, që kanë të bëjnë me faktin se qeveria duhet të tregojë se kushtet janë krijuar, në mënyrë që procesi i integrimit europian të jetë gjithëpërfshirës, por edhe opozita duhet te tregojë se është një partner konstruktiv në këtë proces. Jam i inkurajuar lidhur me reagimet e para pas publikimit të progresraportit, pasi të gjithë kanë pranuar se ato çfarë thuhen në raportprogres duhen bërë”, - u shpreh dje Etore Sekui, diplomati i Bashkimit Europian i akredituar në vendin tonë.

Topi “zbut” gjuhën me Topallin

Presidenti: Së bashku për plotësimin e 12 kritereve të BE-së

KUÇOVË - Presidenti Bamir Topi ka qenë dje në qytetin e Kuçovës, ku apeloi për bashkëpunim mes institucioneve me qëllim përmbushjen e 12 rekomandimeve të BE-së. Ndërsa në lidhje me debatin e tij mediatik me kryeparlamentaren Topalli, presidenti u shpreh se “nuk duhet të merremi me thashetheme”.

Apeli i Topit

Dy ditë pas debatit me Kryetaren e Kuvendit, nga Kuçova Presidenti Topi apeloi për bashkëpunim dhe dialog mes palëve në jetësimin e axhendës europiane. Duke iu përgjigjur gazetarëve në lidhje me replikat e këtyre ditëve, Topi u shpreh: “Sot jemi në Kuçovë për të përuruar monumentin dhe për të dekoruar një figurë të madhe të popullit polak, që dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për popullin shqiptar, për shkencën shqiptare të gjeologjisë. Të gjithë së bashku duhet të punojmë me shumë përkushtim për këtë agjendë për t’iu përgjigjur, secili në institucionin e tij, por edhe të gjithë së bashku asaj që ka thënë edhe Komisioni i Bashkimit Evropian. Besoj se edhe ju do t’i kontribuoni kësaj klime.”

Aktiviteti në Kuçovë

Presidenti Topi zhvilloi dje një vizitë në qytetin e Kuçovës, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të bustit të prof. Stanisllav Zuber, inxhinierit polak të gjeologjisë, që me përkushtim të veçantë punoi për nxjerrjen e naftës dhe gazit në zonat përreth Kuçovës. Në këtë ceremoni, ku krahas drejtuesve lokalë ishin të pranishëm dhe ministri i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë Bogdan Zdrojevski, Presidenti Topi i dorëzoi ambasadores së jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Polonisë në Tiranë Irena Tatarzinska Urdhrin “Nënë Tereza”, për yng. Stanislav Zuber (pas vdekjes). “Me mirënjohje dhe respekt inxhinierit të shquar polak dhe specialistit të njohur të shkencave gjeologjike, i cili me studimet dhe kërkimet në vendin tonë, me zbulimet e vendburimeve të naftës dhe gazit të Kuçovës vuri gur themeli në gjeologjinë shqiptare të naftës, me impakt dhe vlera të padiskutueshme edhe sot”, - thuhet në motivacionin e dekorimit. Gjeologu i shquar polak Stanislav Zuber u ekzekutua nga regjimi komunist në vitin 1947.

Solo Gozhina

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›