E Diel, 1 Nëntor 2026

Një grua godet me lopatë në kokë fqinjin

18/10/2011  Policia: Ngjarja për motive pronësie, arrestuam autoren 63-vjeçare

PEQIN- Pas një konflikti të vazhdueshëm për pronën kanë shkuar në sqarimin e radhës burrë e grua, por nuk ishte e thënë për një zgjidhje. Gruaja ka marrë lopatën dhe e ka goditur fuqishëm fqinjin në kokë duke bërë që të përfundojë në gjendje kome. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në një fshat të Peqinit. Burime të policisë bënë të ditur se një 63-vjeçare është arrestuar nga policia sepse ndërsa kishte shkuar të sqaronte një konflikt pronësie me fqinjin bashkë me bashkëshortin e saj, në grindje e sipër e ka goditur atë në kokë me një lopatë.

Ngjarja

Burime të policisë bënë të ditur se shtetasja Resmie Ferhati 63 vjeç me banim në fshatin Pekisht të komunës Shezë në rrethin e Peqinit është arrestuar në flagrancë pak pas ngjarjes. Gruaja e shoqëruar edhe nga bashkëshorti, ndërsa ishte duke diskutuar me fqinjin e saj Nazmi Ferhati 45 vjeç me banim në të njëjtin fshat për zgjidhjen e një konflikti për kufirin e tokës, e ka goditur me një lopatë në kokë e më pas në trup. I dëmtuari në gjendje të rëndë për jetën, është transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve, nga ky spital gjendja e tij është tepër e rëndë për shkak të dëmtimeve në kokë. Materialet për 63-vjeçaren i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbasan. Gruaja do të duhet të përgjigjet për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”. Gruaja ka thënë se ishte detyruar dhe nuk kishte zgjidhje tjetër. Konfliktet për pronën janë mjaft të shprehura në zonën e Peqinit. Në disa fshatra toka është ndarë edhe me ligjin 7501 edhe në bazë të titujve të vjetër të pronësisë. Kjo ka krijuar konflikte që kanë marrë edhe jetë njerëzish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›