Selami dhe mesazhi amerikan
Prej ditësh ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, ka ndërprerë qëndrimin e tij disavjeçar në Shtetet e Bashkuara dhe është rikthyer në Shqipëri. Mbërritja e Selamit në Tiranë u shoqërua me hamendësimet e menjëhershme për të ardhmen e tij politike. Dikush e shihte Selamin si pjesë të politikës, të tjerë si vizitor, ndërsa vetë ish-kreu demokrat e cilësoi udhëtimin e tij si një dëshirë për të festuar 20-vjetorin e pluralizmit politik. Deklaratat e Selamit do të avanconin me kalimin e ditëve dhe ai nuk e përjashtoi mundësinë e angazhimit në partinë që drejtoi për pak vite, pasi Sali Berisha u zgjodh President në prill 1992.
Megjithatë pavarësisht planeve personale të Eduard Selamit dhe shanseve që ato të bëhen realitet, qasjen politike të tij për shumë vite e ka karakterizuar një konstante proamerikane. Në këtë pikë Selami është një ndër shumë politikanë të tjerë shqiptarë, të cilët edhe pas një pritjeje në ambasadën amerikane vetëcilësohen si mesazherët e politikës së Uashingtonit në Tiranë. Në intervistat e dhëna në ditët e pakta të qëndrimit në Shqipëri, ish-kryetari i Partisë Demokratike rrëfente thuajse padashje, se edhe në krizën e rëndë të vitit 1997 ishte përdorur për t’i dërguar Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, mesazhe nga “miqtë amerikanë”. Deklarata e Selamit mund të jetë shumë e vërtetë, por mënyra e risjelljes së fakteve dhe rrëfimi i tyre i cunguar, veshur qëllimisht me mister, dëshmojnë një dëshirë për të abuzuar me frymën proamerikane që shqiptarët nuk kanë hezituar ta dashurojnë. Është fare e qartë dhe e ditur botërisht se mbetemi ndër popujt më proamerikanë, jo vetëm në Ballkan, por ndoshta shumë më gjerë se kaq. Pritja publike për Presidentin Bush në qershor 2007 u fiksua në mediat botërore dhe rrënjët e dashurisë shqiptaro-amerikane janë të hershme, vite e vite përpara se Eduard Selami të mbërrinte në SHBA, pasi u largua nga Shqipëria.
Mesazhet amerikane që ka sjellë apo të tjerë që mund të sjellë më vonë, mbeten ndoshta të vetmet karta që Eduard Selami preferon të hedhë për të shtruar rrugën e rikthimit në Partinë Demokratike. Një rrugë që duket e vështirë dhe ndoshta e pamundur, por mbi të gjitha e konceptuar jo të drejtë.
Së pari, Eduard Selami mbetet një politikan me ndikim të kufizuar e minimal, jo vetëm në jetën politike e publike në Shqipëri, por edhe brenda Partisë Demokratike. Pikërisht brenda selisë blu, ish-kryetari i saj duket të ketë më pak mbështetës, ndërsa opozita mund ta konsiderojë angazhimin e Selamit si një mundësi për të dobësuar Kryeministrin Berisha brenda partisë së tij.
Së dyti, Eduard Selami nuk ishte një lider organik i Partisë Demokratike edhe kur ai ulej në karrigen e numrit një të saj. Mjafton të kujtojmë se pas vitit 1992 edhe mbledhjet më të rëndësishme të kësaj force politike bëheshin në selinë e Presidencës, ndonëse kryetar zyrtar i saj nuk ishte Sali Berisha. Selami nuk u shndërrua dot në drejtues të partisë dhe duket shumë më e pamundur ta realizojë sot këtë ambicie.
Së treti, momenti në të cilin Selami tenton të trazojë ujërat në Partinë Demokratike është krejt i pafavorshëm për të. Të tentosh “rebelimin” ndaj Sali Berishës, në kohën kur ai ndodhet në drejtim, jo vetëm të partisë, por edhe të qeverisë, është një vështirësi më tepër, që nuk duhet neglizhuar.
Së katërti, ta kritikosh liderin partiak në prag të një beteje elektorale, siç do të jenë zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit, sjell në mënyrë të pashmangshme zvogëlimin e hapësirave. Ndezja e makinerisë elektorale ka aftësinë të mbulojë me zhurmë zërat kundërshtarë, pavarësisht argumenteve që mund të sillen. Vetëm një dështim i mundshëm elektoral i demokratëve do të shtonte shanset që kundërshtarët e Berishës të kenë më tepër argumente.
Për të gjitha këto, ndoshta Eduard Selami përpiqet të sjellë në Tiranë një superargument, atë të mesazheve amerikane. Duke e parë të pacopëtueshëm murin përballë tij, ish-kryetari demokrat flet për mënyrën amerikane të të bërit politikë dhe për dëshirat amerikane mbi të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë më tepër se mesazher, Selami i ngjan sot një personi të vetëmandatuar për të thënë gjëra, brenda të cilave mund të ketë shumë të vërteta, por leja e mandatuesit mungon. Këshillat, pakënaqësitë, sugjerimet e dëshirat amerikane për Shqipërinë dhe shqiptarët kanë rrugën e tyre të mbërritjes deri në veshët që duan apo nuk duan të dëgjojnë në Tiranë. Të presësh rikthimin pas 15 vjetësh të Selamit në Shqipëri për t’u transmetuar mesazhe shqiptarëve, nuk ngjan me një zgjedhje dhe zgjidhje amerikane.