ISHÃ-t e përjetshëm
Pak ditë më parë, në Tiranë u festua me ngrefosje të legjitimuar 8 dhjetori, ose siç është shpallur zyrtarisht Dita e Rinisë apo edhe e Demokracisë. Protagonistët e festës, kësaj radhe kishin zgjeruar radhët; mes tyre, edhe pse jo në celebrimin e përzgjedhur, u përfshi edhe kreu socialist, Edi Rama, që me sa duket e ka lëvizjen e dhjetorit të vetmen histori politike personale në të gjithë skenën shqiptare. Përtej ngjyrave, zhurmës dhe protagonizmit që tanimë janë bërë refleks i çdo dhjetori, kushtëzues edhe për përzgjedhjen e kanaleve televizive, në mënyrë të ndrojtur është përshfaqur një diskutim “periferik”, thuajse antivizë, ai për pensionet e ish-ushtarakëve shqiptarë. Kur them antivizë, medet, nuk kam kurajën të vë në diskutim suksesin e pasaportave biometrike, por përvijimin si “diversionist” të një problemi që mesa duket nuk është kuruar as nga arritjet e demokracisë shqiptare. Ish-ushtarakët, këta ISHË të përjetshëm së bashku me pronarët dhe të përndjekurit, kanë dalë në sipërfaqen mediatike dhe atë politike, me problemin e tyre endemik; pensionet. Sa pak për ushtarakët dhe sa shumë do të thotë për familjarët ky problem! Pa dashur të diskutoj mbi çështjen financiare të pensionit të tyre suplementar, i cili është tërësisht “teknik”, kryesore për mendimin tim është integriteti por edhe integrimi i kësaj shtrese në sistemin aktual, i cili me sa duket operon me moton e një pragmatizmi të ndërtuar mbi logjikën e forcës. Pas ligjeve origjinale të fillimviteve ‘90, periudha e parë socialiste shënoi edhe rreshtimin politik të shtresës së ushtarakëve si të majtë, në mos për shkak të programit për arsye të afilimit politik, si pasojë edhe e zhgradimit historik të konsumuar nga Diktatura. I vënë në kontekstin e një realiteti shumë të vështirë social, ky pozicionim, i ish-ushtarakëve edhe mund të kuptohet, pavarësisht se me format e protestës sociale dhe angazhimit nëpër gjithfarëlloj shoqatash korpusi i mbrojtësve të Atdheut i hoqi vetes shumëçka. Në këtë kuptim, vendimi i fundit i qeverisë shqiptare, e cila me një Akt Normativ, të miratuar në atë që njihet si Kuvendi i Shqipërisë dhe i mbrojtur nga analiza dhe komente të licencuara si koncesione reciproke mes pushteteve, ka zhbërë një të drejtë të cilën e pranon edhe vetë, më shumë sesa përçmon kontributin e ish-ushtarakëve e sjell atë në dimensionin e vet moral. Me këtë e kam fjalën se protesta, angazhimi dhe prononcimi i një shtrese apo grupimi, përcakton edhe dinjitetin e saj, mënyrën me të cilën shoqëria dhe pushteti trajton këtë pjesë të vetën. Skenografia e fundit politike, ku një kategori si ajo në fjalë, e gjendur para një padrejtësie të madhe, që vjen në kundërshtim edhe me vetë Kushtetutën e Shqipërisë, kërkon të drejtën e punës së vet nën sqetulla partiake, thjesht dhe vetëm sa i jep të drejtë pushtetit për të vepruar edhe një herë në këtë mënyrë. Ish-ushtarakë që pozicionohen si bastion i socialistëve, ish-pronarë dhe ish të përndjekur që e shohin të djathtën zyrtare si strehë të sigurt të të drejtave të tyre, më shumë sesa përgjegjësi e një shoqërie po e vetëpoziconojnë veten si kudhra elektorale, pa arritur që dinjitetin e tyre ta projektojnë si vlerë të demokracisë shqiptare. Kjo ndoshta shpjegon edhe veprimin e partive politike, që sondimin e tyre e bazojnë tradicionalisht mbi këtë strukturim të brendshëm të shoqërisë, që po e penalizon Shqipërinë prej vitesh. Nëse shpresa e një kategorie së cilës shumëkush dikur i besonte edhe jetën e vet, integritetin dhe besimin, po ndërtohet naivisht mbi premtime partish, atëherë është e qartë se Vota për këtë kategori është shpëtimi social për të mbetur edhe një herë një statistikë dëshpëruese për atë pjesë të qytetarëve që dëshirojnë diçka tjetër nga ajo Shqipëri që shohin sot.