E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat ngrohen me furnela, spitali kaldajë me orë të kufizuara

Të moshuarit e azilit vishen trashë, ndërsa administrata përdor ngrohje moderne me kondicionerë e kaloriferë

I ngrohti në këto ditë tepër të acarta është privilegj vetëm i punonjësve të administratës dhe i familjeve me një gjendje relativisht të mirë ekonomike. Të gjitha institucionet e tjera, shkollat, spitalet e azilet vuajnë pa asnjë mjet ngrohës temperaturat nën zero që po regjistrohen këtë vit edhe në Fier. Pothuaj të gjitha shkollat publike të Fierit nuk kanë sistem ngrohës. Në disa klasa nxënësit kanë kontribuar ashtu si çdo dimër tjetër, duke mbledhur para për të blerë ngrohës elektrikë. Por këta janë jashtë funksionit, pasi në shumicat e shkolla energjia mungon gjatë orëve të paradites. Por, edhe në ato raste kur ajo ekziston është sistemi i vjetruar shpërndarës brenda godinës shkollore që nuk lejon mbajtjen e ngrohësit për më tepër se 1 orë. Të ftohtin në shkolla e pranojnë zyrtarisht edhe pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit. Drejtoresha Suzana Numani është shprehur se problemi për ngrohjen është tepër evident, por janë njësitë e qeverisjes vendore ato që duhet të përgjigjen për të. Numani nuk arrin të japë asnjë zgjidhje përveçse deklaratës së saj për gazetën tek e cila shpjegon se shpeshherë ka komunikuar me krerët e komunave dhe të bashkive me qëllim zgjidhjen e problemit të ngrohjes, por ende nuk është gjetur zgjidhja. Në disa shkolla publike në zonat rurale soba me dru po përdoret për të sfiduar të ftohtin. Edhe në këto raste drutë sigurohen nga vetë nxënësit.

Spitalit kaldajat i ndizen rrallë: i ftohti është problem edhe për spitalin rajonal të Fierit ku kaldajat ngrohëse ndizen për pak orë. Pacientët që thonë se ka raste që kanë marrë ngrohës nga shtëpia, pasi kaldajat pothuajse nuk ndizen fare. “Këto tri ditët e fundit, kaldajat janë ndezur rreth orës 05 të mëngjesit dhe kanë qëndruar deri nga ora 08:00 më pas as që bëhet fjalë.

Me batanije dhe rezistenca nga shtëpia po e thyejmë të ftohtin”, tha Ismaili, pacient. Edhe në drejtorinë e spitalit ata pohojnë problemin që kanë me sistemin ngrohës. Mësohet se fondi për karburantin që duhet për kaldajat ende nuk ka mbërritur pranë drejtorisë.

Mungesa e sistemit ngrohës në Shtëpinë e të Moshuarve Fier ka bërë që 57 pleqtë e saj të përballen me të ftohtin e këtyre ditëve të ashpra dimri. Punonjësja sociale, Daniela Roqi, ka pranuar situatën e keqe ku ndodhen të moshuarit e azilit të Fierit si shkak i të ftohtit. Madje, ajo ka treguar edhe mënyrat sesi ata e mposhtin të ftohtin. “Edhe me veshjen e shumë rrobave e thyejnë të ftohtin. Ndërsa rezistenca elektrike vihet me orar të kufizuar vetëm në dhomën e televizorit. Ka edhe nga ata të moshuar që qëndrojnë nën batanije ditë edhe natë”, ka thënë punonjësja sociale. Ajo sqaron se rezistencat ngrohëse mbahen për periudha të shkurtra, pasi kostoja e energjisë është e lartë dhe të ardhurat e azilit nuk mjaftojnë për të shlyer energjinë e konsumuar në rast të pakontrolluar. “Problemi i ngrohjes vjen nga mungesa e fondeve. Për këtë arsye ne nuk arrijmë të blejmë lëndën djegëse që kërkon kaldaja e institucionit për t’u ndezur. Problemi nga të moshuarit është zgjidhur në këtë mënyrë duke u ndezur rezistenca vetëm për pak minuta në mjediset kolektive si p.sh. në dhomën e televizorit”, ka vijuar më tej punonjësja sociale, Daniela Roqi. Edhe drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve në Fier, Vasilika Mëngjezi, pranon gjendjen e vështirë të kushteve të institucionit që drejton. Ajo thotë se: “është e domosdoshme ngrohja në këto ditë të ftohta, por nuk ka fonde ndaj jemi të detyruar ta përballojmë të ftohtin edhe pa u ngrohur”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›