E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selanik, PAOK pezullon Ergys Kaçen deri të hënën

Futbollisti shqiptar Ergys Kaçe do të mbetet jashtë aktiviteteve të skuadrës së futbollit PAOK, të paktën deri të hënën e ardhshme. 

Në klimën e rëndë që ekziston për Kaçen, nga postimi në FB i fotos me bluzën e UCK-së dhe nga reagimet që pasuan, drejtuesit klubit të PAOK-ut në Selanik vendosën ta largojnë mesfushorin e ri nga aktivitetet e përgjithshme të grupit. 

Kaçe ndodhej në Shqipëri, i grumbulluar me ekipin kombëtar të Shqipërisë dhe pritet të kthehet në Selanik, ku do t’i bëhet i njohur vendimi i PAOK. 

Ndërkaq mesfushori i ri ka depozituar një ankesë në Prokurori dhe ka kërkuar shqyrtimin e të gjitha llogarive që mbajnë emrin e tij në rrjetet sociale, hetim për të cilin është mandatuar një prokuror. 

Sipas disa informacioneve, Kaçe pritet të kërkojë falje administratës së klubit për veprimin e tij, por gjithësesi vendimi mbi të ardhmen e futbollistit është në duart e aksionerit të madh, Ivan Savidi. 

Ergys Kaçe ka një kontratë me PAOK deri në verën e 2017, pas rinovimit të saj në fund të vitit 2012. 

(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›