E Diel, 1 Nëntor 2026

Selanik, kontroll të huajve. Policë civilë mësyjnë në Universitet

Duket se Agimi i Artë nuk është i vetëm në luftën kundër emigrantëve në Greqi. Presionit të kësaj force ekstremiste i janë nënshtruar edhe segmente të ndryshme të shoqërisë e madje edhe të shtetit. 

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Institutin francez (Universiteti “Aristoteli”) në Selanik, vendi ku jepen provimet për çertifikimin e gjuhës greke nga të huajt. Disa persona civilë që u prezantuan si forca të policisë, ndërprerë procesin për të ushtruar kontroll mbi dokumentet e personave që jepnin provim, ku kishte edhe shqiptarë. 

Sipas dëshmive të vetë emigrantëve që kishin shkuar për të dhënë provimin, klasën e pushtoi paniku. Teksa pjesëmarrësit përpiqeshin të nxirrnin dokumentet e tyre dhe mësuesit nuk mundeshin të ndërhynin, tre kandidatë u larguan nga provimi dhe u shoqëruan nga forcat e sigurisë. 

Mësuesit që mbikëqyrnin provimin thanë se kjo ngjarje, do të thotë fundi i shkollës greke të “Aristotelit”. "Nuk ka emigrant që do të lejojë fëmijën të vijë përsëri në shkollë ", thonë profesorët, “sepse shkolla u bë tashmë një kurth për studentët tanë". 

Sipas informacioneve, kontrolli i policisë civile është bërë me propozim të rektorit të Universitetit “Aristoteli”, Janis Milopulos, i cili jo vetëm ishte në dijeni të pranisë së policisë në provim, por ka marrë edhe vendimin për kontrollin. 

Gjithmonë sipas të njëjtit informacion, në dekanat kishte mbërritur ditë më parë paralajmërim nga “Agimi i Artë”, ku flitej për "emigrantë të paligjshëm që japin provimin e gjuhës greke". 

Kështu nën presionin e “Agimit të Artë”, rektori dhe policia vendosën të zënë vendin e fashistëve në vend që të mbrojnë emigrantët dhe procesin akademik. 

Dëshmia e një emigranteje shqiptare mbi kontrollin policor, që u bë në qendrën e çertifikimit të greqishtes në Universitetin “Aristoteli” në Selanik, ku ajo do jepte provim 
"Sapo hyra në godinë, që tek porta, një burrë i veshur civil më ndaloi dhe më pyeti se përse kisha ardhur. Më kërkoi kodin e kandidatit edhe më urdhëroi të shkoj tek sekretaria, që të jap pasaportën për kontroll. Aty ndodheshin disa persona civilë, asnjë i veshur polic, të cilët më morën pasaportën dhe e kontrolluan me imtësi për shumë minuta. Pastaj u ngjita tek salla e provimit. Një moment më vonë njëra nga pedagoget erdhi në klasë dhe iu kërkon dy personave që po jepnin provim t'i japin dokumentat e tyre, me shpjegimin se duhet t'i kontrollojnë ata jashtë... Askush nuk më tha që ata ishin policë, mendova se kjo ishte një procedurë e zakonshme (edhe pse e frikshme). Nga diskutimet nën zë në sallë dëgjova se kjo gjë bëhej për të ndaluar personat që nuk kanë dokumenta, të cilët duke dhënë provimin e greqishtes marrin lejen e qëndrimit". 

Duhet sqaruar se në asnjë direktivë ligjore në Greqi nuk thuhet se personat që disponojnë certifikatën e gjuhës grekë do të pajisen me dokumenta qëndrimi. 

Qeveria e Samaras edhe pse me deklarata premton ndëshkimin e çdo lloj diskriminimi dhe dhunën me motive raciste, në praktikë nuk po bën asgjë serioze në këtë drejtim, madje duke iu referuar këtij rasti, duket se i është nënshtruar presionit të forcave të errëta ekstremiste të “Agimit të Artë”.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›