Selimaj: Ky Luftëtar është vërtet i frikshëm
Portieri shkodran, Erind Selimaj, thekson se ekipi gjirokastrit ka mundësi për rezultate më të mira gjatë fazës së dytë
Erind Selimaj dhe Arlind Nora janë dy skajet e Luftëtarit, ndërkohë që midis tyre punojnë edhe 9 të tjerë. Këta dy lojtarë kanë detyra të kundërta, i pari të mos pësojë gol dhe i dyti të shënojë sa më shumë, veçse jo në portën e tij. Janë dy lojtarët që në bashkëpunim me të tjerët kanë ndikuar më thellësisht, që Luftëtari të renditet i pari, edhe pse me një ndeshje më pak. Selimaj ka pësuar 8 gola në 14 ndeshjet, ku ka luajtur vetëm ai në portën e Luftëtarit.
Në 6 prej tyre nuk ka pësuar gol, kurse në të tjerat ka pësuar nga 1. Ekipi gjirokastrit ka pësuar vetëm 2 humbje, që është numri më i vogël ndër gjithë të tjerët. Llogaritë e fazës së parë do të mbyllen me ndeshjen LuftëtariKukësi, e vlefshme për javën e 14-të, që nuk u luajt për shkak të dëborës. Nëse gjirokastritët fitojnë, shkëputen 6 pikë nga Kukësi, që është edhe ndjekësi më i afërt.
Vendin e parë Luftëtari e humbet vetëm po të humbasë me 3 ose më shumë gola diferencë, që do të ishte një surprizë e paimagjinueshme. Sidoqoftë, deri në zhvillimin e kësaj ndeshjeje, dy ekipet në fjalë do të jetojnë të shqetësuar.
Selimaj Erind Selimaj, portieri shkodran i Luftëtarit, që bashkë me Devollin dhe Norën përbëjnë trekëmbëshin e palëkundshëm të tij, shprehet: Ndeshja me Mamurrasin u zgjidh në mënyrën më të kënaqshme për ne dhe kësisoj Luftëtari me meritë të plotë kryeson fazën e parë. Kemi mundësi reale për të fituar edhe një 3-pikësh tjetër në kuadër të saj, atë me Kukësin.
Kemi nxjerrë një fazë me rezultate ndër më të mirat, ku ekipi ka manifestuar një futboll mjaft rezultativ, që përbën garanci edhe për vazhdimësinë e kampionatit. Personalisht, jam i kënaqur, sepse kam mundur tu përgjigjem mjaft mirë kërkesave dhe zbatimit të detyrave, ndërkohë që në vazhdim shpresoj për rezultate më të mira.
Luftëtari i këtij sezoni them se është i frikshëm dhe se do të arrijë ta realizojë objektivin, që është ngjitja në superligë. Uroj që më 2012-n ta bëjë realitet këtë objektiv, në mënyrë që Luftëtari të zërë vendin që i takon në futbollin tonë. I uroj suksese edhe futbollit shkodran, ku ne lindëm.
