Elbasani, vetëm një merkato cilësore bën mrekullinë
Nga radhët e verdhebluve pritet të ketë afrime dhe largime. I pari që mund të ikë është mesfushori Gava, që kërkon një ekip jashtë Shqipërisë
Elbasani e mbylli fazën e parë të kampionatit dhe njëkohësisht vitin 2011 me një humbje, që mund të ketë pasoja të rënda për të. Disfata me Ilirinë, për më tepër në një fushë asnjanëse, duket se e nxjerr Elbasanin nga gara për superligën, edhe pse janë edhe 15 ndeshje të tjera për tu zhvilluar.
Vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë ekipin elbasanas që nuk ka teguar asnjë nga vlerat e tij gjatë gjysmës së parë të kampionatit. Me mbylljen e fazës së parë pritet të ketë edhe disa lëvizje lojtarësh, largime dhe afrime.
Gava I pari që do ta lërë Elbasanin është mesfushori Orgest Gava, i cili pritet të kalojë në një kampionat të huaj. Vetë futbollisti e ka bërë të qartë pak ditë më parë se është në kërkim të një ekipi jashtë Shqipërisë, ndaj dhe gjasat janë që të mos jetë pjesë e Elbasanit në vazhdim të kampionatit.
Me largimin e Gavës në mesfushë, pa dyshim që krijohet një boshllëk i madh, por Elbasani ka mjaft të rinj të talentuar. Mateos Toçi, Ardit Hila apo edhe Emiljano Musta kanë treguar rritje në lojën e tyre nga ndeshja në ndeshje dhe pritet të marrin më shumë përgjegjësi gjatë fazës së dytë.
Merkato Merkatoja e janarit do të jetë vendimtare për Elbasanin, të cilit i duhen jo pak futbollistë cilësorë për të qenë pretendent deri në fund. Vetëm përforcimi i ekipit do ti zgjonte shpresat për superligën. Nga ana e drejtuesve verdheblu është deklaruar se do të bëhet gjithçka që është e mundur për të sjellë në Elbasan elmentë me vlera, që do ta ndihmojnë grupin aktual për të qenë brenda objektivit të sezonit.
Elbasani e mbylli fazën e parë vetëm me fitoret në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ndërsa në transfertë ka marrë vetëm një pikë. Kjo paraqitje e dobët ka lënë një shije të hidhur te të gjithë tifozët elbasanas, të cilët janë totalisht të zhgënjyer.
Edhe vetë futbollistët e stafi teknik pranojnë se janë bërë shumë gabime gjatë fazës së parë, por ata besojnë se Elbasani do të reagojë në vazhdim dhe do të ngjitet aty ku i takon dhe të jetë sërish pretendent për tu kthyer në superligë. Përgatitjet për fazën e dytë do të fillojnë sot, nën drejtimin e dyshes File-Dosti. Misioni i Elbasani mbetet kthesa në ndeshjet jashtë fushe.
