Gëzim Shala, shumë pranë Lucernës
Një tjetër futbollist me origjinë shqiptare kërkon të shkëlqejë në kampionatin zviceran
Blerja më e re e skuadrës zvicerane të Lucernës do të jetë Gëzim Shala. Futbollisti me origjinë nga Kosova do të nënshkruajë kontratë në fund të sezonit, me opsion rinovimi edhe për dy vjet të tjerë. Lajmi është publikuar nga mediat në ditët e fundit të 2011-ës. Te skuadra zvicerane aktivizohen edhe tre lojtarë të tjerë shqiptarë, Burim Kukeli, Jahmir Hyka dhe Hekuran Kryeziu.
Kontrata
Në fillim të janarit do të nënshkruaj me Lucernën. Kontrata fillimisht do të jetë për gjashtë muaj, por me mundësi vazhdimi edhe për dy vjet të ardhshëm,- u shpreh futbollisti kosovar. Ai e ka nisur karrierën me skuadrën e kategorisë inferiore të Zvicrës, Dudingen, dhe synon që te skuadra e re të zërë vend si titullar e të luajë sa më shumë të jetë e mundur.
Jam shumë i lumtur se aty do të kem edhe bashkëlojtarë të tjerë shqiptarë. Burim Kukelin e njoh mirë. Është futbollist dhe person i mrekullueshëm, ndërsa Hykën nuk e njoh ende. Lucernën e kam zgjedhur pasi te ky klub shpresoj se do të kem perspektivë për karrierën time, – theksoi 21-vjeçari.
Shqiptarët e Zvicrës
Shala kishte ofertë edhe nga ekipi italian i Xhenovës, që kishte shfaqur interes ta transferonte e më pas ta huazonte në ligën e dytë zvicerane, te Lugano, për tu formuar si futbollist. Me transferimin te Lucerna, kosovari 21-vjeçar do ta çojë në 19 numrin e shqiptarëve që aktivizohen në elitën e futbollit zviceran.
Aktualisht në ligën e parë zvicerane luajnë Xherdan Shaqiri, Arlind Ajeti, Granit e Taulant Xhaka, të cilët aktivizohen te Bazeli, Adrian Nikçi dhe Admir Mehmedi te Zyrihu, Milaim Rama, Muhamed Demiri, Vilson Morina te Thuni.
Vullnet Basha aktivizohet me skuadrën Nojshatëll Ksamaks. Florian Berisha mban veshur fanellën e Sionit, Amir Abrashi, Imran Bunjaku, Orhan Mustafi dhe Mërgim Brahimi me ekipin Grasshopersit, ndërsa Jahmir Hyka, Burim Kukeli dhe Hekuran Kryeziu te Lucerna.