E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimi:FSK-ja,shpejt pjesë e NATO-s

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Sylejman Selimi ka deklaruar se FSK-ja do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, teksa do të bashkëpunojë edhe me të gjitha vendet fqinjë, që ofrojnë bashkëpunim. "Unë mund t'iu them atyre që mendojnë ndryshe për FSK-në, se kjo trupë do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe do të bashkëpunojë me të gjitha vendet fqinjë, që ofrojnë bashkëpunim", ka thënë Selimi. Gjeneral Selimi gjithashtu ka vlerësuar se në një të ardhme jo të largët, Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e NATO-s. "Ne do të dëshmojmë që FSK-ja dhe vetë shteti i Kosovës është prosperues. Kosova i ka dyert e hapura dhe është në interes të vendit dhe qytetarëve të saj, që të integrohen në BE dhe në këtë kuadër edhe FSK-ja, kërkon që në një të ardhme jo të largët, të jetë pjesë e NATO-s". Ndërkohë që, i pyetur rreth kërkesës serbe për rishikimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e nënshkruar në vitin 1999 ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, që largoi forcat serbe nga Kosova, Selimi tha se kjo ka të bëjë me politikën dhe diplomacinë. "Është shumë me rëndësi që Kosova është në rrugë të mbarë, ka institucionet e saj legjitime dhe demokratike. Përsa i përket Marrëveshjes së Kumanovës, ajo është një marrëveshje ndërmjet NATO-s dhe Serbisë. Këto marrëveshje mund të shqyrtohen, mund të analizohen dhe në fund edhe mund të ndryshohen. Cilido qoftë rezultati i këtyre bisedave, për Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë ndonjë ndikim, as Serbia dhe asnjë aktor që mendon të destabilizojë vendin", ka përfunduar Selimi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›