E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama emëron të dërguarit Miçëll e Hollbruk

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka emëruar dy të dërguarit e posaçëm për dy pikat më të nxehta të globit, Lindjen e Mesme dhe rajonin Afganistan-Pakistan. Obama ka emëruar ish-senatorin Xhorxh Miçëll si të dërguar special të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Lëvizje që synon të dërgojë një sinjal të qartë se Obama ka planifikuar të përfshihet fuqishëm në përpjekjet për të ndihmuar në arritjen e një paqeje të qëndrueshme në rajon. Miçëll ka shërbyer si i dërguar në Lindjen e Mesme edhe në kohën e administratës Bush. Ai gjithashtu ka qënë i dërguari për paqe në Irlandën e Veriut, në kohën kur President i SHBA-së ishte Bill Klinton. Vetë Miçëll deklaroi se situata në Lindjen e Mesme është shumë komlekse dhe e vështirë. "Stabiliteti në Lindjen e Mesme është në interesin tonë, të Palestinës dhe Izraelit". Jam i bindur se konfliktet nisen nga njerëzit, dhe përfundojnë nga ata. Nuk ka asnjë konflikt që nuk mund të përfundojë", tha ai. Ndërkohë që ish-ambasadori i SHBA-së në OKB dhe arkitekti i marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje Ricard Hollbruk është emëruar si i dërguari special në Afganistan dhe Pakistan. Në fjalën e tij, Hollbruk u shpreh se askush nuk mund të thotë se lufta në Afganistan ka përfunduar. "Do kemi një program të veçantë për Afganistanin. Gjithashtu duhet të pranojmë se situatat në Pakistan është shumë komplekse", tha Hollbruk. Dy emërimet e Obamës u prezantuan në një konferencë për shtyp nga Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton. Vetë Klinton tha se është bërë një punë e shkëqyer me ambasadat e vendeve të Lindjes së Mesme dhe se SHBA-ja duhet të jetë e zgjuar kur të ushtrojmë fuqinë e saj para botës. Ajo theksoi se nga dita e sotme nis një punë e vështirë për të dhe të gjithë stafin. Ndërkohë që vetë Presidenti Obama duke iu drejtuar punonjësve të Departamentit amerikan të Shtetit i falenderoi ata për shërbimin gjatë këtyre viteve. "Epoka e re për SHBA-në duhet të nisë tani", tha ai. Duke iu referuar mbyllljes së burgut të Guantanamos, Presidenti deklaroi se SHBA-ja nuk do të torturojë më. "Ne po përballemi me sfida të mëdha, dhe progresi nuk mund të jetë i menjëhershëm. Administrata ime do të kërkojë paqen në Lindjen e Mesme. Ne do mbështesim fort Izraelin", theksoi ai. Obama deklaroi se Hamasi duhet t'i japë fund sulmeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›