Selmani informoi ambasadorin spanjoll për krizën
Kryetari i “Demokracisë së Re”, Imer Selmani ka takuar sot ambasadorin spanjoll në Maqedoni, Fernando de Galeinena për të biseduar lidhur me zhvillimet politike.
Kreu i DR-së Selmani ka njoftuar ambasadorin spanjoll me qëndrimet e “Demokracisë së Re” lidhur me krizën politike dhe parlamentare në vend dhe i ka shpjeguar atij kushtet që DR-ja ka shtruar për dialog të mirëfilltë politik mes pushtetit dhe opozitës.
Ai ka theksuar se DR-ja në vazhdimësi ka kundërshtuar politikat e gabuara të qeverisë aktuale në raport me integrimet euro-atlantike, marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare, zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, demokracinë, lirinë e mediumeve dhe pavarësinë e gjykatave, ndaj jorastësisht pakënaqësia nga këto politika ka rezultuar me bojkot të Parlamentit nga ana e opozitës.
Nga ana tjetër, ambasadori spanjoll Galeinena ka ritheksuar përkrahjen e Mbretërisë së Spanjës për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim sipas tij, Spanja ka shfaqur interes për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në Maqedoni.