E Diel, 1 Nëntor 2026

Seminari i sivjetshëm i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe refleksionet për Korçën time

01-08-2012 / Nga Eden Babani

Seminari i përvitshëm Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe në Diasporë, sivjet mbahet në Korçë, në kuadër të Jubileut të madh të Njëqindvjetorit të Pavarësisë. Zgjedhja e Korçës bash këtë vit, për të mbledhur atje seminaristët që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre atdhetare e tejet fisnike anekënd viseve të Europës, ka simbolikën e vet të veçantë. Korça është qyteti i së parës Shkollë Shqipe, hapur me sakrifica qysh në kohën e sundimit otoman. Është qyteti i Gjerasim Qiriazit, i Sevasti e Parashqevi  Qiriazit, i Pandeli Sotirit e i Nuçi Naçit, korifenj të arsimi tonë qysh në hapat e tij të parë. Është qyteti Anastas Avramit – Lakçe e i Thoma Turtullit, bamirës që ia blatuan pasurinë e vet ndërtimit të objekteve shkollore. Është qytetit i gjuhëtarëve e i studiuesve, Profesor Spiro Konda e Milto Sotir Gura. Është djepi i qytetërimit europianoperëndimor në Shqipëri, ku u hap Liseu i famshëm Francez, që i dha atdheut qindra studentë, të cilët do t’i kryenin me sukses studimet e larta në universitetet më të njohura të Europës e të Amerikës.
Ja, pra, ç’më hodhi sot në vendlindjen time, në Korçën time! Eh! Si të mos them imja, kur ajo më dha jetë, më rriti, më mëkëmbi, më dha gjuhë të flas, më dha mend të mendoj, më përgjaku bërrylat e gjunjët duke luajtur me top me lecka, me “çeta”, me “fiç me ndjeka”, me “cingla” a me “ashikë”?... Kujtimet më vijnë valë-valë. Janë kujtime të fëmijërisë, kujtime që nuk shlyhen kurrë nga kujtesa, në ditë të mira a të këqija. Për mua, është e dhimbshme sot që, për arsye, të cilat s’varen prej meje, të mos marr pjesë në atë seminar me vlera të padiskutueshme. Por, ani! Duke u përkundur në këto valë kujtimesh, gjej rastin t’u uroj kolegëve të nderuar: Punë të mbarë! Të gjithëve punë të barë! Të njohur në seminaret e mëparshme, a të panjohur, seminaristë të rinj. Punë të mbarë, zoti Nuhi Gashi, veprimtari ynë i përkushtuar e i palodhur. Punë të mbarë kolegëve të tu të të dyja Ministrive tona, të cilët u japin jetë veprimtarive të tilla në dobi të gjuhës sonë, të Kombit tonë.
Ndërsa hedh në letër këto pak rreshta, më vinë në kujtesë ditët e seminarit të vjetshëm, në Prishtinë. Kujtoj kumtesat e spikatura që dëgjuam atje, punuar prej lëvruesish të vërtetë të shkencave pedagogjike. Kujtoj mbrëmjet me këngë rreth tryezave të rrumbullakëta të Hotelit Emerald, kitarën e shakatë e Andon Andonit, si edhe zërin e mrekullueshëm të Tomi Treskës, profesor  i Universitetit Europian të Tiranës. Kujtoj vizitën në kalanë mesjetare të Novobërdës dhe minierën Artana  përballë, minerali i së cilës, i pasur me ar, i shkonte Beogradit për të blerë armët, me të cilat synoi të shfaroste vëllezërit tanë. Kujtoj darkën e begatë, por bujare që shtroi zoti Isa Mustafa, kryetar i Bashkisë së Prishtinës. Ishin orë të këndshme ato të asaj nate, që na hoqën lodhjen e rrugës, orë që kaluam në shoqërinë e Dr. Agim Sylës, të Asllan Krasniqit e të Shani Bashës; të Dr. Ladi Shahinit e të çiftit simpatik Tafilaku, Ismail e Flutura; të Alma Zekollarit e të Marinela Naqos; të Anila Kilës e të Valbona Hustunës, me të cilët na puqi rasti. Kujtoj bisedat mbi artin e letërsinë me shkrimtarin Adem Demolli ose shkëmbimin e librave me gazetarin Abdurrahim Ashiku. Kujtoj mikun tim Sabri Maxhuni, i cili, me bujarinë e pashoqe që e karakterizon, u fali gjithë seminaristëve nga një kopje të librit të tij “Marrëveshja”.
Përvoja e atij, seminari, sikurse edhe i seminareve të tjera, të Prizrenit a të Vlorës, ishte për mua një pasurim shpirtëror i pakrahasueshëm.
***
Thonë se ne, korçarët, jemi lokalistë, kërkojmë shoku-shokun dhe u shmangemi të tjerëve. Jo. Nuk është aspak e vërtetë. Unë them të kundërtën. E duam qytetin tonë, siç duam Atdheun tonë skaj më skaj, në gjithë shtrirjen e vet etnike. E duam ashtu si çdo qytetar, qytetin e tij. Nuk jemi kozmopolitë. Aspak. Atdhetarë, po. Kam apo s’kam të drejtë? Për këtë, pyesni Eli Farën, po të doni, bilbilin e këngës korçare, e cila, me zërin e saj të ëmbël si të një violine luajtur prej një mjeshtri të madh, ngroh zemrat e mbarë shqiptarëve, në trojet etnike a në diasporë, u dërgon atyre nostalgji shqiptare. Unë po e pyes. Pyete edhe ti, lexues i nderuar, ndonëse ajo na është përgjigjur paraprakisht.
Eli! As më njeh, as të njoh. Më saktë, të njoh si të njohin gjithë shqiptarët anekënd rruzullit tokësor, sepse, si gjithë bashkatdhetarët e mi, i dëgjoj me mall dhe i këndoj me pasion këngët e tua, sidomos serenatat e mrekullueshme të qytetit tonë. Nuk më njeh, meqë besoj të mos kesh prirje për të lexuar gazeta. Mirëpo ja që kënga, siç është jotja, është edhe imja. Kur del nga shpirti i artistit, sidomos nga shpirti yt, ajo bëhet e të gjithëve. Sepse kënga nuk njeh kufi. Megjithatë, domethënë me gjithë se s’njihemi, do ta dëshiroja përgjigjen tënde. Jemi lokalistë ne, korçarët? E di përgjigjen, përpara se të ma thuash: Çne!... Ku jemi lokalistë ne! Edhe në paçim prirje ndaj njëri-tjetrit si bashkëqytetarë, kjo s’do te thotë aspak se jemi lokalistë, se nuk dalim nga guaska jonë. Fjala vjen, ti, korçarja e thekur, a nuk ndihesh në vargjet dhe meloditë e këngëve që këndon edhe myzeqare, edhe dibrane, edhe vlonjate, edhe konispolate, edhe ulqinake, edhe  gjakovare, edhe shkodrane, edhe  elbasanase, edhe..., edhe...? Unë ndihem korçar, sepse në kalldrëmet e Korçës më ra koka, siç ndihem devolli, sepse aty janë rrënjët e të parëve të mi. Mirëpo unë ndihem edhe vlonjat, si qytetar i qytetit që më burrëroi; edhe kavajas, si qytetar i qyteti ku u ndjeva prind; edhe tiranas, si qytetar i qytetit ku studiova, ku u diturova dhe ku hodha hapat e parë në fushën e gazetarisë... Ne të dy, pra, mua dhe ty, si korçarë, s’ka kush të na akuzojë për lokalizëm. Aq më tepër mua që vendlindjes i jam tepër borxhli, pasi për Korçën time nuk kam shkruar aq sa duhet. Kërkoj të falur, Eli, për krahasimin e lajthitur, ndoshta të gjetur keq. Mos e merr lajthitjen time si mendjemadhësi, si rrekje për barazim vlerash midis meje dhe teje! Ku emri e fama jote, ku emri im në faqe gazetash! Mirëpo kjo bredhje e çakërdisur nëpër labirintet e kujtimeve, më hedh e tek s’po më hedh sot. Më hodhi edhe në Vlorën e viteve ’50 – ‘60. A e di pse? Po e them, që të që ta mësojnë të gjithë ata të cilët na quajnë lokalistë. Ne, korçarët, nuk jemi lokalistë. Jemi atdhetarë. I shërbejmë Kombit me devotshmëri, si në Korçën tonë, ashtu edhe gjetkë. Jo se na pëlqen neve ta themi këtë, mua ose ty, ta zëmë. Po sepse ashtu janë faktet.
Isha arsimtar i ari asohere, ende pa kryer shkollën e lartë. Korça i kishte dërguar në ndihmë Vlorës shumë djem e vajza që jepnin mësim në të gjitha shkollat e rrethit. Shumica ishin vajza të reja, sapo të dala nga bankat e shkollës së mesme, por tepër të përkushtuara profesionit. Narta nuk e harron Elianën, siç Llakatundi nuk e harron Xhimin e Zhanetën. Drashovica e Armeni nuk e harrojnë Fatimkën, ashtu si Koculi nuk e harron Ivonin. Si mund ta harrojë Selenica Sonin? Po shkollat e Vlorës, Nikoletën e brishtë, e cila me gishtat e saj të hollë, thuajse transparentë, nxirrte tinguj të mrekullueshëm pianoje? I kam njohur që të gjitha dhe ruaj respektin më të madh për to. I kam admiruar si korçare, por ndonjërën edhe si bashkëshorte e ardhshme e ndonjërit prej shokëve të mi të rinisë. Që të mos humbas labirinteve të kujtimeve, përmend vetëm të ndjerin Ylli, vlonjatin që u martua me korçaren Fatimkë. Lokalizëm i thonë të lësh Korçën e të mësosh fëmijët e fshatrave të Lumit të Vlorës?
*** 
Duke u rrekur të gjej një dalje nga labirinti ku më hodhi nostalgjia për qytetin tim të lindjes, i kërkoj të falur kryeredaktorit të gazetës “55”, zotit Ilir Nikolla, për këtë bredhje të çakërdisur që kuturisa të marr. E di se gazeta ka problemet e veta. Madje, e di se nëpër redaksi shkrimi zë shkrimin. E di se vjen një kohë e ata bëhen stivë njëri mbi tjetrin, pa nuk ke mundësi t’u bësh vend të gjithëve. Por ja që ia vlen nganjëherë t’ua hapësh faqet e gazetës, t’u kushtosh disa kolona edhe shqetësimeve njerëzore, jashtë rutinës së përditshme. Në këtë kontekst, i kërkoj gjithashtu të falur lexuesit të nderuar, i cili mbase nuk ia ka ngenë të humbë kohë me çikërrima që duket sikur lidhen me unin, por që, në të vërtetë, dashur-padashur pleksen e bëhen një me tërësinë e së përgjithshmes. Shpresoj, madje kam bindjen, se do të gjej mirëkuptimin e përbashkët të gazetës e të lexuesit njëherësh, për hir të asaj çka më ka ngacmuar gjatë gjithë ditëve që kam marrë mesazhe për përgatitjen e seminarit, për temat që do të lexoheshin, për ekskursionet në Voskopojë e gjetiu, me një fjalë, për gjithë programin. Gjithsesi, më në fund, dëshiroj të pyes: a mund të isha i qetë pa reflektuar pozicionin tim ndaj një veprimtaria me vlera atdhetare, për të cilën digjesha të merrja pjesë, por që punët nuk më erdhën mbroth, më erdhën të atilla që vetëm ta  përshëndes prej së largu, prej Brukselit të mbuluar nga vranësirat veri-atlantike? Edhe një herë, pra: Punë të mbarë ju, kujdestarë të gjuhës shqipe në diasporë! Mirë u pjekshim në seminaret e ardhshme. Ne, shqiptarët, kemi plot vende ku të piqemi për punë të tilla të mëdha e të ndihemi si në shtëpinë tonë, të shkëmbejmë mendime për problemet tona ende tê pazgjidhura e të çmallemi me njëri-tjetrin, se mjaft kemi qenë të ndarë e të përmalluar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›