E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes

Sëmundjet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes

Këto sëmundje, karakterizohen, nga prekja, mahisja e tubave të mëdhenj që dërgojnë ajrin në mushkëri si laringiti, trakeiti, bronkiti apo kombinimet e tyre që gjithësesi janë mjaft të shpeshta. Gjithashtu në këtë grup sëmundjesh futet edhe prekja e indit të mushkërisë siç është p.sh. bronkopneumonia.

Laringiti: Është një shfaqje relativisht e shpeshtë, në moshën e vogël pediatrike. Për momentin, bazuar në gjëndjen e aspak normale të mjedisit me mbingarkesën e pluhurave, tymrave e gazrave vërehet një shtim më i dukshëm i këtyre sëmundjeve. Laringiti shfaqet më shumë pas një sëmundjeje virale a rrufe të zakonëshme, por, mund të shfaqet edhe pa pasur fare lidhje me këto gjëndje.Sëmundja fillon me një kollë të ashpër që, shpesh quhet kolla "si të lehur qeni", me vështirësi të lehtë në frymëmarrje, që, pak nga pak vjen e shtohet. Nëse jemi të kujdesshëm vemë re se fëmija paraqet rrahje të flegrave të hundës apo tërheqje nga brënda të pjesëve të buta midis brinjëve. Në se nuk merren masa mund të ëerehet edhe cianozë "mavijosja e buzëve". Përgjithësisht fëmijët paraqitin edhe temperaturë por jo shumë të lartë. Realisht, edhe pse drama që kalojnë prindërit me një fëmijë të sëmurë me laringit është e dukëshme dhe ata, gjithësesi, janë të alarmuar, me pak kujdes të menjëhershëm, gjëndja fillon të përmirësohet shpejt. Cilat do të ishin masat më të domosdoshme:

Duhet të siguroni një ajrosje sa më të mirë, ngrohje të përshtatëshme si dhe një lagështim të mirë të ajrit të dhomës ku kemi fëmijën. Ajrosja dhe ngrohja janë të kollajshme. Kujdes! Duhet të largohemi ngamentaliteti i përgjithshëm për të mos hapur dritaret dhe për të mbinxehur mjedisin. Sigurimi i lagështimit të ajrit të dhomës mundet të realizohet, nëpërmjet vlimit, me burim të vogël nxehtësie, i një ene me ujë. Në këto raste është e domosdoshme që ujit t'i hidhet edhe pak eukaliptol të blerë në farmaci, apo edhe duke hedhur në ujë disa gjethe të thata a të njoma të pemës dekorative të eukaliptit. Avujt e eukaliptit, duke u thither me anë të frymëmarrjes, ndihmojnë mjaft në lehtësimin e saj. Sot me mjaft sukses po përdoret edhe në familjet tona, mjekimi me aerosolterapi, e cila është një mënyrë mjekimi shumë më e shpejtë, shumë më e mirë dhe shumë më e lirë. Nuk është aspak lluks dhe harxhim që në çdo shtëpi të ketë një aparat të vogël elektrik për këtë qëllim. Siguroni qetësinë e fëmijës e sidomos tuajën sepse kështu edhe fëmija do të jetë më pranë shërimit. Ndërkohë fëmijës i japim pak çaj të ngrohtë kamomili apo më mirë dafine. (2-3 gjethe dafine të vluara për 30 sekonda në një xhezve teke me ujë). Merrni masa të menjëherëshme që fëmija të shihet nga mjeku, i cili është autoriteti që do t'u këshillojë më tej, për kujdesin dhe mjekimin.

Bronkiti akut. Sikurse laringiti edhe bronkiti, mund të fillojë si sëmundje më vete, por, mundet që të jetë pasojë edhe sëmundjeve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Bronkitet, vërehen më shumë, në stinën e ftohtë e të lagësht por jo rrallë vërehen edhe në momentet e ndryshimit të stinëve sikurse jemi edhe tani. Ato gjithashtu janë më të shpeshta e më të rënda në moshat e herëshme të fëmijërisë, sidomos në moshën e të porsalindurit. Po ashtu, më të prekshëm nga ato janë fëmijët që rriten në kondita të vështira ekonomike, sociale e kulturore; në ata që mbahen shumë të mbullur sepse "kemi frikë se na ftohen", që nuk shohin dritën e diellit, shëtitjet në ajër të pastër e lojrat në të.

Në shënjat më të qarta për një bronkit do të veçoheshin: temperatura, në shifra më pak apo më shumë e lartë: kolla, fillimisht e thatë e pastaj e shoqëruar me sekrecione të bollëshme; shtimi i numurit të frymëmarrjeve për një minutë e po kështu edhe i pulsit.

Ç'duhet të bëjmë: Të mos harrojmë asnjëherë se: dielli, drita, ajri, shëtitjet, veshja e lehtë në varësi të klimës, janë mjeti më i mirë, më i lirë dhe më i saktë për të mbrojtur fëmijët nga bronkitet. Veproni njëlloj si dhe në rastin e laringitit, lidhur me mjedisin e dhomës së fëmijës. Si në çdo rast! Kërkoni me një herë ndihmën mjekësore! Asnjë lloj antibiotiku, pa vendimin e mjekut!

Pyetje - Përgjigje

Djali im 4 vjeç, duket i dhunshem

Dr.Çimi, do të desha të di diçka rreth edukimit të djalit tim 4 vjeç. Kërkesa ime lidhet me shqetësimin për të sepse vërej se është i dhunshëm me fëmijët më të vegjël, ndërkohë mezi i përgjigjet kërkesave tona e për më tëpër na shikon disi vëngër. A mos vallë këto janë pasoja të detyrimeve që i kemi bërë për të ngrënë, fjetur, veshur apo për të mos qarë, detyrime që ndonjë herë janë shoqëruar edhe me ngritje të zërit apo edhe ndonjë dënim me shpullë bythkave.

E nderuar mami, përgjithësisht veprimet e ngjashme me ato që ju vini re tek djali juaj, vërehen pothuaj në të gjithë fëmijët të cilët në moshën e herëshme fëminore, deri në tre vjeç, janë ndeshur me eksperienca jo të këndëshme për ta. Të tilla eksperienca janë, padyshim, edhe ato që ju përmëndni. Natyrisht, veprimet tuaja detyruese, që nuk janë tjetër veçse një lloj dhune, kanë sjellë me vete edhe pasojat që ju vëreni tek fëmija juaj deri tani. Një pjësë tjetër fëmijësh, paraqitin probleme të tilla, madje shumë më të mprehta, kur prindërit kanë patur vetë një fëmijëri të vështirë dhe dhuna ka qënë prezente në jetën e tyre. Çdo fëmijë i dhunuar në moshën e herëshme fëminore do të ketë një zhvillim të cënuar dhe pa tjetër, kur të rritet, do të shfaqë dhunën ndaj fëmijës së tij. Një hap më lart, në pasojat negative që sjell, është dhuna psikologjike ndaj fëmijës si të ironizuarit, poshtërimi i tij sidomos në prani të të tjerëve, neglizhimi i tij, kërcënimi se "do t'i them babit", "i mjeri ti kur të këthehemi në shtëpi" apo "sot nuk do të dalësh" e tj.

Le të këthehemi tani në ndonjë këshillë që mund tju vlejë për të ardhmen. Në se nuk ka ndonjë shkak tjetër veç atyre që ju përmendni, atëhere do të jetë e mjaftueshme që të mos bëni gabimet e para. Pra mundohuni të lini më të lirë fëmijën tuaj në mënyrën, sasinë dhe dëshirën për të ngrënë, veshur apo fjetur. Duhet të hiqni dorë menjëherë nga metodat e detyrimit për këto veprime të fëmijës. Nëse, veprimet e tij për ju janë të padrejta, flisni me të, shpjegojani ato që duhet të bëjë me durim dhe fjalë të thjeshta e të ëmbla. Mendoni sikur po i këndoni një sonet dhe të jeni e bindur, ai do t'ju kuptojë shumë më mirë se sa ta detyroni. Në se, ju apo burri juaj, nuk arrini ta bindni dhe niveli i nervozizmit tuaj vjen e rritet, atëhere filloni të merreni me diçka tjetër, jepini fëmijës të kuptojë se në se ai nuk do, atëhere, le të vendosë vetë se kur duhet të hajë apo të flerë. Me gjithë atë, për shkak se të gjithë jemi prej mishi e gjaku, se të gjithë ndodhemi përpara streseve të shumta e të ndryshme, mund të ndodhë edhe që ta shoqërojmë nervozizmin tonë me ndonjë shpullë, sikurse thoni edhe ju. Në këtë rast vlera e shpullës mund edhe të ketë ndonjë efekt, por pas saj duhet t'i jepni rëndësi mjaft të madhe veprimit që do të vijë më pas. Ky moment ka të bëjë me këthimin e gjëndjes normale të mardhënijeve tuaja me fëmijën, pra, momenti i pajtimit. Shpesh herë, prindërit pas veprimit të tyre bëhen pishman për të dhe kërkojnë falje, fillojnë të mallkojnë veten, pastaj ta përqafojnë e puthin fëmijën me shumë dashuri duke u munduar ta bëjnë atë të kuptojë se ajo shpullë apo bërtitje ishte e gabuar. Por a mund ta kuptojë fëmija këtë veprim krejtësisht të kundërt me atë të pak kohëve më parë. Kjo është krejtësisht e pakuptueshme për të. Momenti i të pajtuarit duhet të shoqërohet gjithmonë me fjalë, me fjalë, me fjalë, sepse është vetëm fjala çelësi i të kuptuarit për një fëmijë. Sikur të kini në fjalët tuaja edhe pak humor, atëhere çelësi fjalë do të ishte i artë.

Jo vetëm për ju por edhe për të gjithë prindërit e tjerë, do të desha të theksoja disa fjalë. Dhuna ndaj fëmijëve, në çfarëdo forme që të jetë ajo, është me pasoja shumë të rënda jo vetëm për fëmijën dhe të ardhmen e zhvillimit të tij, jo vetëm për ju që do të mbeteni me një ndjenjë faji të pashlyeshëm për tërë jetën, por, edhe për të tërë shoqërinë. Sot ne bëjmë të habiturin sepse ka kaq shume krime apo pse shikojmë kaq shumë fytyra të vrara e të ngrysura. Në tërë veprimtarinë tonë të përditëshme, nga momenti kur ngrihemi në mëngjes e deri sa vemë në shtrat për të fjetur, jemi të mbingopur me dhunë nga të gjitha drejtimet. Në botën perëndimore të qytetëruar tre janë fjalët më të shpeshta që të ze veshi: Të lutem! Faleminderit! Më fal! Këto tre fjalë magjike edhe të përrallave të dikurshme për fëmijët, sot tek ne dëgjohen rrallë e më rrallë. Të dashur prindër! Prejani burimin e ushqimit dhunës që sot, me fëmijën tuaj, që nesër të jemi më të qeshur e më të mirë ne dhe shoqëria jonë. Prejani burimin e ushqimit dhunës që sot, me fëmijën tuaj, që nesër të kemi breza më të mirë e më të vlefshëm. Prejani burimin e ushqimit dhunës që sot, me fëmijën tuaj, që nesër të dëgjojmë më pëk për krime, vjedhje, prostitucion e ku di unë se çfarë tjetër.

Përshëndetje

Dr. Çimi:

KËNDI I LABORATORIT

NIVELI I ETANOLIT, TEST LIGJOR DHE MJEKESOR

Etanoli si përbërës i pijeve alkoolike është përdorur që në kohët e lashta. Perëndia e gëzimit Dionisi njihte si pijen e vet verën. Që në Egjiptin e lashtë dhe në Kinë, nga sheqeri i fermentuar dhe orizi rreth njëmijë vjet para Krishtit, janë prodhuar pijet alkoolike. Etanoli është kryesisht në përbërje të verës, rakisë birrës, etj. por në nivele të ndryshme.Etanoli është shkaku më i dyshuar për aksidentet e shumta automobilistike, apo dhunën e ushtruar,sidomos brenda familjes, duke u bërë objekt i një hulumtimi sa mjekësor aq edhe ligjor.Përdorimi i pijeve alkoolike( etanoli është përbërësi ndikues) është mjaft i përhapur. E para sepse ky përdorim, ëshë i lejuar ligjërisht, dhe e dyta sepse është lehtësues i komunikimit njerëzor. Por nga ana tjetër është një agjent mjaft toksik në rast mbidozimi. Për më tepër marrjae tij në sasira të mëdha dhe të pakontrolluara,mund të sjellë për pasojë dhe vdekjen.

Por etanoli (përbërës i pijeve alkoolike), edhe në doza mjaft të vogla mund të sjellë probleme kur hyn në bashkëveprim me barna që mund të përdorë një pacient siç janë gjumëdhënësit apo analgjezikët( p.sh. analgina); apo dhe tek pacientët që i nënshtrohen një ndërhyrjeje kirurgjikale duhet të përjashtohet përdorimi i pijeve alkoolike para operacionit.

Efektet fizilogjike të etanolit.

Etanoli dhe alkoolet e tjera i kanë molekulat e tyre të tretshme në ujë. Për shkak se shpërndahen lehtë nga qarkullimi i gjakut në lëngun cerebrospinal, duke kaluar kështu në Sistemin Nervor Qendror, shqetësimet mbi këtë bazë janë të shpeshta.

Doza të vogla të pijeve alkoolike japin një ndjesi çlirimi dhe euforie.

Gjykimi, çlirimi emocional, arsyetimi, dhe aftësitë konjitive(njohëse) janë të gjitha funksione që kanë të bëjnë me Sistemin Nervor Qendror, dhe të gjitha këto ndikohen nga dozat e etanolit që mund të merren, nga pija që përdorim.

Dëmtimti i reflekseve me bazë trurin e vogël, përfshi dhe ato që kanë të bëjnë me ekuilibrin dhe koordinimin, po ashtu dhe ulja e shpejtësisë së reagimit ndaj ngacmuesve të jashtëm, fillon kur niveli i etanolit në gjak është 80 mg/dl ose më tepër. Pamundësia klasike, mjaft e njohur, për të ecur në vijë të drejtë ose për të qëndruar me një këmbë është një mga metodat më të thjeshta për të vlerësuar këtë lloj dëmtimi.

Ligji dhe kufijtë e përdorimit.

Alkooli mund të merret nga pije të ndryshme alkoolike. Dymbëdhjetë ounce(1onz= 28, 3495 gram) birrë, 5 ounce verë, ose 1,5 ounze pije me ngjyrë, përmbajnë rreth 20 gram etanol. Sasitë e lejuara të përdorimit të tij janë të rrëgulluara sipas moshave në doza të ndryshme. Në shumë shtete ligji lejon përdorimin e tij vetëm mbi moshën njëzet e një vjeç, dhe kjo sasi është e barazvlefshme me atë dozë alkooli që jep një nivel të etanolit në gjak më të vogël se 80 mg/dl, sidomos kur ka të bëjë me përdorimin e automobilit. Toksiciteti(Helmueshmëria e etanolit) dhe shkalla e prekjes së SNQ rritet në mënyrë përpjestimore me përqendrimin në gjak të etanolit. Për shembull, përqendrimi i etanolit në gjak 10-100mg/dl mund të shkaktojë një humbje të lehtë të vetëkontrollit, një ndjenjë dobësie dhe ulje të fuqisë. Përqendrimi i etanolit në gjak nga 100-300 mg/dl është i lidhur me pamundësi të ecjes në vijë të drejtë, marrje goje, fjali pa kuptim, topitje dhe shkatërrim të perceptimeve. Të përzierat dhe të vjellat janë shenjat e alarmit që tregojnë se toksiciteti nga alkooli ka filluar. Depresioni i Sistemit Nervor Qendror, ndodh kur vlera e alkoolit në gjak i kalon 300 mg/dl.

KËNDI I USHQIMIT

Patatinat, a jane të dëmshme?!

Të gjithë jemi në dijeni që patatet e skuqura dhe patatinat që shiten në treg janë të dëmshme, por që ato të jenë edhe ushqime kancerogjene këtë e kanë pohuar disa shkencetarë të Universitetit të Stokholmës, të cilët shprehen se disa ushqime si patatinat, drithërat që hahen në mëngjes me qumesht dhe në pergjithesi të gjithë ushqimet e skuqura apo edhe disa të pjekura në furrë me temperaturë të lartë sjellin një rrezikshmëri të lartë kancerogjene. Ato shprehen se këto ushqime gjatë skuqjes prodhojnë një substancë të quajtur "akrilamid", e cila ka efekt kancerogjen në trupin e njeriut.

Ka edhe shumë studiues të tjerë që janë kundër mendimit të lartpermendur duke u shprehur që këto lloj ushqimesh janë të dëmshme për trupin e njeriut vetëm nëse merren me doza të mëdha, por kurrë nuk janë kancerogjene.

Ndërkohë që studimet vazhdojnë, ne duhet të marrim këto masa për fëmijët tanë:

- të minimizojmë në maksimum konsumin e ushqimeve të skuqura dhe pjesët e djegura të ushqimeve.

- të ushqehemi rregullisht me fruta dhe zarzavate, të cilat janë edhe një ushqim i tipit parandalues ndaj tumoreve.

- gjithashtu duhet të kemi parasysh se fërgesat janë ushqimi i parë që duhet të heqim nëse duam të mbajmë dietë dhe të kemi një trup të rregullt dhe pa probleme.

Rizoto me zarzavate

(dozat janë për një fëmijë)

- 1 filxhan (kafeje)oriz

- 1 karrotë

- pak bizele

- pak djathë

- 1 lugë (kafeje)vaj ulliri

Përgatitja

Në një enë vendosim karrotën e ndarë në copa të vogla dhe bizelet i lemë të ziejnë për 30 min. dhe pasi zarzavatet të jenë pothuajse të gatshme hedhim orizin dhe e lemë të ziejë derisa lëngu vegjetal të mos jetë shterrur i tëri. Rizotoja është gati pasi ti kemi hedhur përsipër vajin e ullirit dhe djathin e grirë. Nëse dëshiron fëmija vetë ajo mund të shoqërohet me kos të freskët me përqindje të ulët yndyre.

Ëmbëlsirë për pik-nik

- 120gr. gjalpë

- 300gr. miell

- 1 vezë

- 100gr. sheqer

- 3 lugë ujë

Për kremin

- 4 vezë

- 500ml. qumësht

- 140gr. sheqer

- 35gr. miell

- pak vanilje dhe disa fruta të ndara në copa

Përgatitja

Në një enë bashkojmë miellin, sheqerin, gjalpin e ndarë në copa të vogla, vezën dhe vaniljen dhe i punojmë ato derisa të kemi një masë homogjene, të cilën e vendosim pastaj në frigorifer për 30 min. Pasi të kenë kaluar 30 min., brumin e shtrijmë në tavën që e kemi pudrosur paraprakisht me miell dhe me pirun hapim disa vrima dhe e fusim në furrë të ngrohtë 180oC për 20-25 min.

Ndërsa për kremin duhet: rrahim të kuqate vezëve me sheqerin, të cilat i bashkojmë pastaj me miellin dhe me qumështin, më pas i vemë të ziejnë ngadalë derisa masa të fillojë të trashet, e aromatizojmë me vanilje dhe e lemë të ftohet komplet para se ta shrijmë në brumin që parapërgatimën. E përfundojmë ëmbëlsirën duke i shtuar përsipër fruta të ndryshme të ndara në copa të vogla.

Ju bëftë mirë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›