Çelsi-Mançester, vendimtare për titullin
Ndeshja që do të luhet sot në "Stemford Bridxh" do të jetëpërcaktuese përtitullin në Premier Ligë
Mançester Junajtidi do të arrijë sot në drekë ta mbrojë me sukses titullin në Premier Ligë, në rast se bëhet skuadra e parë angleze që fiton në "Stemford Brixh" në këto katër vitet e fundit. Dy klubet e njohura të Mbretërisë së Bashkuar, që mund të përballen me njëra tjetrën në finalen e Moskës për Ligën e Kampionëve muajin e ardhshëm, nëse arrijnë të kualifikohen nga gjysmëfinalet e tyre, shkojnë në këtë takim duke e ditur se një fitore e Junajtidit i jep fund çdo shprese të Çelsit për të fituar titullin e tretë kampion në katër vitet e fundit. Kur mbeten edhe tri javë Premiership, "djajtë e kuq", që kërkojnë titullin e dytë radhazi, si dhe të 10 n në 16 sezonet e fundit, kryesojnë me 81 pikë, tri më shumë se Çelsi e vendit të dytë, që nuk humbet prej 80 ndeshjesh kampionati në shtëpinë e saj, qëkur Arsenali fitoi 2 1 në shkurt të vitit 2004. Humbja e tyre e vetme që atëherë, përveç asaj me penallti përballë Çarlton Atletik, në një ndeshje të Kupës së Ligës, ishte përballë Barcelonës në shkurt të vitit 2006 për Ligën e Kampionëve. Edhe sikur të humbasë dhe t'i lejojë Çelsit që të barazojë me pikë, skuadra e Sër Aleks Fergusonit do të qëndrojë në krye të kampionatit me një diferencë golash me plus 54, në krahasim me plus 36 që ka regjistruar Çelsi. Junajtidi do të mbetej sërish favorit për titullin, vetëm se do t'i duhej që të mos gabonte për asnjë sekondë në dy ndeshjet në fushën e tij kundër Uest Hemit dhe në atë të Vigan Atletik. Dy ndeshjet e fundit të "bluve" do të luhen në fushën e një Njukasëlli të ringjallur dhe në "Stemford Brixh" përballë një Boltoni që rrezikon rënien nga kategoria. Të dyja skuadrat do të zbresin sot në fushë të nxitura pozitivisht nga rezultatet e arritura në gjysmëfinalet e mesjavës për Champions. Klubi i Abramoviçit barazoi 1 1 në Liverpul, ndërsa Junajtidi e ndali në barazim të bardhë Barcelonën brenda në "Kamp Nou".
Ferguson tha në konferencën e djeshme për shtyp se mbrojtësi Nemanja Vidiç, që mungoi në përballjen e Spanjës, pasi ishte sëmurë, mund të luajë sot, pavarësisht se gjendja e tij shëndetësore nuk është ende e stabilizuar. "Unë kam të drejtë të mendoj se ai është në dyshim, edhe pse ai po pi vetëm lëngje dhe supë që prej disa ditësh. Kjo është një ngjarje premtuese, prandaj le të shpresojmë se mund ta aktivizojmë sot. Ai kërkon me dëshpërim që të luajë dhe, në rast se do ta kemi në dispozicion, ky do të jetë një plus për ne, - tregoi skocezi, duke shtuar se, - sot kemi të bëjmë me një lloj tjetër takimi. Neve na duhet t'i kundërpërgjigjemi mënyrës se si luan Çelsi, dhe do të arrijmë me siguri të mbizotërojmë në fushë më shumë se kundër Barcelonës." Kur të ketë mbaruar i gjithë baruti në "Stemford Brixh", vëmendja do të kthehet në anën tjetër të tabelës së renditjes, sepse Boltoni, Ridingu, Birmingemi dhe Fullhemi janë të gjitha të përfshira në betejë, për të mos iu bashkuar tashmë të "vdekurit" Derbi Kaunti.