E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet e zemrës, kanceri po vrasin shqiptarët

Çrregullimet neuro-psikiatrike janë përgjegjëse për 20 për qind të të gjithë barrës së sëmundjeve dhe 3 për qind të të gjitha vdekjeve

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve të shqiptarëve, duke qenë përgjegjëse për 52 për qind të të gjitha vdekjeve. Vetëm sëmundja iskemike e zemrës është përgjegjëse për 7 për qind të barrës së sëmundjeve dhe 15 për qind të të gjitha vdekjeve (128 vdekje për 100,000 banorë në vit). Studimi demografik shëndetësor i publikuar dje nga Instituti i Shëndetit Publik dhe INSTAT vlerëson se këto nivele janë më të ulëta se ato të raportuara nga vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, por më të larta se ato të vendeve të Evropës Perëndimore. Sipas të dhënave, shkalla e ndodhshmërisë së kancerit të gjirit në vend është 20 raste të reja për 100,000 banorë në vit, shifër kjo më e ulët krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian (BE), ndërkohë që ka 13 raste të reja të kancerit të mushkërive dhe 4 raste të reja të kancerit të mitrës për 100,000 banorë në vit në vend, një shkallë paksa më e lartë se ajo e vëzhguar në vendet e BE-së, ndërsa deklarohet se prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit në vend është duke u rritur.

Sëmundjet

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, duke bërë një rezyme të sëmundshmërisë në vend, cilëson se shkalla e vdekshmërisë foshnjore dhe shkalla e vdekshmërisë për moshën nën pesë vjeç në Shqipëri janë relativisht të larta krahasuar me vende të tjera evropiane, megjithëse të dyja janë ulur në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve. Për vdekshmërinë foshnjore, ajo bie, por nga ana tjetër mund të themi se kemi probleme me vdekshmërinë foshnjore për faktin se ajo ngelet shumë e lartë në fshat sesa në qytet. Pra, kemi pabarazi. Kjo na bën të fokusohemi akoma më shumë në përpjekjet për të parandaluar këtë fenomen në fshat, - tha Ylli. Një problem tjetër është ai i kequshqyerjes. Shqiptarët kanë filluar të ushqehen më mirë se në vitin 2000, por krahasuar me 2005-n, shifrat e të sëmurëve si pasojë e kequshqyerjes janë më të larta. Vërejmë se krahasuar me vitin 2000 kequshqyerja në Shqipëri dukshëm ka rënë, por në krahasim me vitin 2005 ka indikatorë të kequshqyerjes që janë rezistentë dhe pothuajse kanë ngelur në stanjacion, - tha Ylli. Por edhe duhanprija vazhdon të mbetet tepër shqetësuese. Drejtori i ISHP-së thotë se femrat dhe kryesisht ato të Tiranës, që konsumojnë duhanin janë në një numër të lartë, një prirje gjithmonë drejt rritjes. Vërejmë që kemi një tendencë në rënie të pirjes së duhanit, për lënie të duhanit në moshat 40-vjeçare, por një rezistencë për rënie tek 20-vjeçarët. Kemi një tendencë të veçantë në rritje tek femrat dhe kjo na bën të fokusohemi më shumë tek femrat, e sidomos tek femrat e Tiranës që janë në fillimet e tyre të epidemisë, - tha Ylli.

Ndërsa vdekshmëria amtare në Shqipëri është gjithashtu e lartë krahasuar me vende të tjera evropiane. Shkalla e vdekshmërisë amtare në Shqipëri përllogaritej në 17 vdekje për 100,000 lindje të gjalla në vitin 2006 (UNDP, 2007). Për afro 35,000 lindje të gjalla në vit në Shqipëri, në vitin 2006 pati 6 vdekje amtare. Shqipëria përfaqëson disa veçanti në lidhje me profilin e saj epidemiologjik. Ndërkohë që modelet e vdekshmërisë janë të ngjashme me ato të vëzhguara në vende të tjera të zhvilluara evropiane, modelet e sëmundshmërisë janë më të ngjashme me ato të vendeve në zhvillim. Ekziston një prevalencë e lartë e sëmundjeve ngjitëse të tilla, si sëmundjet e diarresë, që janë të lidhura me kushte të këqija mjedisore, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, sëmundje të parandalueshme nga vaksinat si difteria, fruthi, rubeola dhe tetanozi neonatal janë në rrugë të mbarë drejt asgjësimit ose si poliomeliti, që tashmë janë asgjësuar. Ndërkohë që barra e sëmundjeve të komunikueshme në përgjithësi është duke rënë, rastet e infektimit me HIV dhe tuberkuloz (TB) janë në rritje. Ka 0.7 raste të reja infektimi me HIV dhe 18 raste të reja tuberkulozi për 100,000 banorë në vit. Në tërësi, shkalla e ndodhjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme, të tilla si sifilizi dhe gonokoku, përgjithësisht janë të ulëta në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Bruceloza ka mbetur në nivele të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit, pas më shumë se 10 vitesh të një rritjeje të dukshme epidemike. Hasja relativisht e lartë e infektimeve të Hepatitit A lidhet me rrugën kryesore të transmetimit, person me person (rruga fekalo-orale) dhe hasjes së lartë të sëmundjeve diarrike në Shqipëri. Shkalla e hasjes së Hepatitit B është më shumë se 8 raste të reja për 100,000 banorë në vit, çka e vendos Shqipërinë në kategorinë e endemisë së lartë. Megjithatë, ka pasur një rënie të qëndrueshme në ndodhshmërinë dhe sëmundshmërinë të lidhur me Hepatitin B qysh nga mesi i viteve 1990, për shkak të vaksinimit të detyrueshëm të të gjithë fëmijëve, duke filluar nga viti 1994, si dhe vërehen përmirësime domethënëse në vazhdim të procedurave të mjekimit. Sëmundjet e komunikueshme shkaktojnë afërsisht 1 për qind të të gjitha vdekjeve në Shqipëri. Shkalla e vetëvrasjeve është 4 vetëvrasje apo vetëdëmtime për 100,000 banorë në vit, çka është më e ulët sesa në vendet e tjera të BE-së; megjithatë kjo shkallë është duke u rritur. Çrregullimet neuro-psikiatrike janë përgjegjëse për 20 për qind të të gjithë barrës së sëmundjes dhe 3 për qind të të gjitha vdekjeve.

 Lëndimet e paqëllimshme janë përgjegjëse për 43 vdekje për 100 000 banorë në vit, një shifër shumë më e lartë se sa nivelet e raportuara në vendet e Evropës Perëndimore. Në Shqipëri, lëndimet nga aksidentet rrugore shkaktojnë 12 vdekje për 100,000 banorë në vit. Sëmundjet respiratore shkaktojnë 6 për qind të të gjitha vdekjeve ose 47 vdekje për 100,000 banorë. Vetëm duhanpirja është përgjegjëse për 22 për qind të barrës së sëmundjes. Konsumi i alkoolit shkakton 6 për qind të barrës së sëmundjes, obeziteti shkakton një 10-përqindësh të përllogaritur dhe mungesa e aktivitetit fizik shkakton 5 për qind.

Somario

Të dhënat e Studimit Demografik Shëndetësor

Lindshmëria në vend është ulur

Rënie të përdorimit të metodave tradicionale kontraceptive

Mosha mesatare në lindjen e parë, për gratë e moshës 25-49 vjeç, është 23.4 vjeç

Gratë, 73 për qind raportojnë se nuk duan një fëmijë tjetër

Stigma rreth AIDS-it është e përhapur në Shqipëri

Njëmbëdhjetë për qind e femrave dhe 5 për qind e meshkujve kanë raportuar një STI

Gjysma e të rinjve 15-24 vjeç (50 për qind) përdorin prezervativ herën e parë që kryejnë marrëdhënie seksuale

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›