Virna Lisi
Gjëja e parë që mendon sapo e sheh është se si ia bën për të qenë gjithmonë në formë? Si arrin Virna Lisi në moshën 72-vjeçare të jetë aq e bukur dhe të kujdeset për paraqitjen e saj, gjë e cila e dallon nga aktoret e tjera. “Bukuria në fillim të karrierës është si një bekim. Do të gënjeja nëse do të thosha se nuk më ka ndihmuar, por pastaj bëhet një përgjegjësi. Me kalimin e viteve fillon të pyesësh veten: çfarë do të bëhet me mua? Ideja se mund të shëmtohem, të humbas atë që kam, më terrorizon”, thotë aktorja. Megjithatë duket se plakja është trembur prej saj. “Le të themi se nëna natyrë ka qenë bujare me mua. Kam ndonjë rrudhë nëpër fytyrë, por kjo nuk më shqetëson, sepse kur hedh sytë rreth e rrotull shoh kirurgët plastikë dhe ngushëllohem me këtë fakt. Megjithatë, duhet të them se unë kam pasur fat. Edhe pse nuk bëj asgjë të veçantë për të qëndruar në formë dhe jam shumë llupëse. Sigurisht kur duhet të xhiroj ndonjë skenë, 15 ditë para mbaj dietë, nuk ha makarona dhe bukë, pastaj filloj sërish ritualin. Ka shumë gra të reja që bëjnë sakrifica të mëdha për të qenë të bukura. Më dhimbsen shumë të gjorat”. Bukuria është si fati, por ndonjëherë gjërat mund të shkojnë vërtet keq: “Gjithmonë më është dashur të dal nga vetja për të marrë rolet më të mira. Në kinema ekziston ky lloj paragjykimi, që një grua e bukur e ka të vështirë të interpretojë bukur një rol dramatik. Kur luajta rolin e motrës Nietzsche në filmin ‘Përtej së mirës dhe së keqes’, regjisori më tha: ‘Virna, nga temperamenti je mirë, por duhet të shëmtohesh pak’. Në filmin ‘Mbretëresha Margot’ më kishin vënë një palë proteza në gojë dhe një korse për të më fryrë’”, thotë aktorja. çdo rol Virna e ka luajtur me shumë delikatesë dhe natyrshmëri. “Ndonjëherë mendoj se kam lindur për t’u bërë aktore. E adhuroj kamerën, më duket sikur me të përpara jam e mbrojtur, e sigurt, kam besim në vetvete. Të njëjtën gjë kam ndier edhe kur kam dalë për herë të parë në skenë, në moshën 14-vjeçare. Edhe sot më duket sikur kamera më adhuron dhe më mbron kudo. E ndiej, është njësoj sikur brenda asaj makine të zezë të jetë një sy, një tru”.
Cilat janë gjërat që duhet të studiosh në punë dhe cilat t’i improvizosh?
Unë jam me origjinë gjermane, përpiqem të jem shumë e rregullt me veten fillimisht, pastaj me punën përgatitem shumë edhe për respektin që kam ndaj teleshikuesit. I ndjek me përpikëri rregullat që i kam vënë vetes. Kur përgatitja është maksimale, atëherë e ke më të lehtë të improvizosh. është thjesht çështje ekuilibri.
Cili regjisor ka lënë gjurmë më të thella te ju?
Ndoshta Germi. Ishte shumë i përgatitur dhe autoritar. Kur bashkëpunonim më thoshte tri fjalë gjithsej. Por nuk arrija ta kuptoja forcën që më transmetonte… E ndieja që gaboja, ose kur ai ishte i lumtur pa qenë e nevojshme që të hapte gojën. Të mendosh që unë isha shumë skeptike mbi personazhin tim te filmi “Zonja dhe zotërinj”, të cilin nuk dëshiroja ta luaja, më dukej një grua budallaqe, vërtet injorante. Por me kalimin e kohës ndryshova mendim, ishte një grua vërtet naive. Të them të drejtën është edhe një nga rolet e mia të preferuara.
çfarë rolesh ju pëlqejnë?
Të them të drejtën i adhuroj rolet dramatike. ëndërroj të luaj rolin e Katerinës së Rusisë, por jam e sigurt se asnjë regjisor nuk do ta marrë përsipër, sepse kushton shumë. Por do të më pëlqente të sillja në skenë dramat e një gruaje të zakonshme, të ditëve të sotme.
çfarë ëndërroni tjetër në jetë?
Unë jam një femër pa kapriçio dhe pretendime. Pasi mbaroj punën kthehem menjëherë në shtëpi, pranë familjes. E kam urryer gjithmonë mondanitetin, festat dhe të qenët në qendër të vëmendjes. Jam përpjekur gjithmonë të bëj punën time dhe të mos krijoj konfidenca me aktorët e tjerë. Ndihem krenare që kam aktruar përkrah aktorëve të mëdhenj.
Cilët janë aktorët që ju kanë lënë më shumë përshtypje?
Jack Lemmon, për shembull, ishte një burrë i jashtëzakonshëm, i zgjuar, i ndershëm, i sjellshëm dhe shumë gazmor. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Marcello Mastroiannin: një njeri i mrekullueshëm dhe bujar.
Sa e rëndësishme është të kesh sens humori në jetë dhe në punë?
Shumë. Të ndihmon jashtëzakonisht, edhe pse është një veti mjaft e rrallë dhe pak njerëz e kanë. Sot gjërat kanë ndryshuar shumë mes njerëzve, thua një batutë dhe personi që ke përballë nuk e kupton, ose ofendohet. Kështu që është më mirë të mos e zgjasësh fare me askënd.
Cila është origjina e emrit Virna?
Nuk ka ndonjë origjinë të veçantë. E ka shpikur im atë kur po shkonte për në punë. Ai donte të më quante Siria, por ishte emri i shtetit armik, ishim në luftë dhe nuk e lejuan. Kështu që iu desh të ma vinte Virna. Pastaj zbuluam se ishte një emër rus, që do të thotë besnikëri.
#