Sëmundjet e zemrës, mjekët: Kujdes me ushqimet dhe seksin
Shqiptarët kanë një zemër të dobët për shkak se keqpërdorin ushqimin dhe seksin. Mjekët kardiolog thonë se shkaqet që çojnë në shtim të numrit të të prekurve me sëmundje të zemrës është stresi, përdorimi i ushqimeve të fast-foodeve dhe përdorimi gjithmonë i makinës në vend të ecjes. Një tjetër shkak që është ndeshur më pak, por që sipas bluzave të bardha është një shqetësim madhor është se infraktet shkaktohen nga përdorimi në masë i kontraceptivëve oral.
I ftohti i dimrit është një aleat i ngushtë i përkeqësimit të zemrës. Në këto kushte mjeku kardiolog i poliklinikës nr. 3, Valer Manushi, thotë se pacientët duhet të kenë ilaçet me vete dhe ti drejtohen mjekut në rastin më të parë të shfaqjes së krizave.
Por ajo që është shqetësuese, thonë mjekët, është ulja e moshës së të prekurve nga sëmundjet kardiovaskulare. Nëse para viteve 90-të pacientët e diagnostikuar me sëmundje kardiovaskulare ishin mbi moshën 50 vjeç, vitet e fundit kjo moshë e të prekurve është ulur në 35 deri në 40 vjeç, si për femrat ashtu edhe për meshkujt.