E Diel, 1 Nëntor 2026

Senati Amerikan miraton rezolutë për Shqipërinë: “Presim zgjedhje legjitime”

“Interesi i Amerikës nuk ka përfunduar me pranimin e Shqipërisë në NATO”. Rezoluta e SHBA-ve njeh dhe vlerëson arritjet demokratike në vendin tonë

Eljona Ballhysa
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshkallëzojnë thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Vetëm një ditë pas deklaratës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ka reaguar Senati i SHBA-ve. Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan ka miratuar një rezolutë për zgjedhjet në Shqipëri. Që në fillim të saj theksohet se interesi amerikan në Shqipëri nuk ka përfunduar vetëm me pranimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO, por më shumë se kurrë SHBA-të e kanë vëmendjen në zhvillimet demokratike në Shqipëri. Në rezolutë theksohet se SHBA-të presin dhe shpresojnë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë të lira, legjitime dhe të thellojnë demokracinë. Miratimi i kësaj rezolute shpreh interesin e madh ndërkombëtar që zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, në mënyrë që Shqipëria të tregojë se e meriton anëtarësimin në NATO dhe synimin e saj për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Rezoluta
Në javën e fundit që u paraprin zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin Amerikan, me kryetar Xhon Kerrin dhe me anëtarë senatorët Dik Lugar, Benjamin Kardin, Xhejn Shahin, Ted Kaufman dhe Xho Liberman, shqyrtuan dhe miratuan një rezolutë në të cilën njohin dhe vlerësojnë arritjet demokratike në Shqipëri. “Interesi i Amerikës ndaj Shqipërisë nuk ka përfunduar me pranimin e Shqipërisë në NATO”, - janë shprehur senatorët gjatë deklaratës së tyre. “Tani, më shumë se kurrë, ne duhet të jemi më të vendosur për të parë Shqipërinë të zhvillojë zgjedhje që janë të besueshme në sytë e popullit shqiptar dhe të partnerëve europianë. Të gjithë anëtarët e NATO-s jemi thellësisht në pritje të suksesit të këtij vendi. Në ditët e fundit para se shqiptarët të shkojnë në votime ne shpresojmë që të gjitha partitë e përfshira në garë të punojnë bashkë për të zhvilluar një proces elektoral të drejtë dhe legjitim”, - shkruhet në këtë rezolutë. Rezoluta e SHBA-ve njeh arritjet demokratike në Shqipëri dhe shpreh shpresën se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të përmirësojnë transparencën dhe paanshmërinë e demokracisë në Shqipëri.
Deklarata
Vetëm një ditë më parë, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë kërkoi nga qeveria shqiptare dhe nga faktori politik që të ruajnë klimën paqësore gjatë fushatës elektorale. Deklarata e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-ve, Biks Aliu, erdhi pas incidenteve të dhunës që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale në Shqipëri.
“Nxisim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor. Edhe njëherë shprehim shpresën dhe pritshmërinë tonë që zgjedhjet që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare”, - është shprehur zëdhënësi Aliu. Një deklaratë e tillë nënkupton se situata nuk është e paqme dhe se standardet e zgjedhjeve cenohen nga aktet e dhunës. Për këtë qëllim SHBA-të u tërheqin vëmendjen qeverisë dhe forcave politike që të ulin tonet e përdorura gjatë fjalimeve elektorale. Përveç Ambasadës së SHBA-ve kanë reaguar dhe Presidenca e BE-së, e cila gjithashtu kërkon që në Shqipëri të ketë zgjedhje paqësore dhe i inkurajon qytetarët shqiptarë të marrin kartat e identitetit.

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›