Ndoka, padi penale kundër Topallit dhe Policisë së Shtetit për vrasjen e Kekës
Kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka, deklaroi dje nga Shkodra se do të dërgojë në prokurori një padi penale kundër nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, për deklaratat ndaj partisë që ai drejton, si dhe kundër Policisë për deklaratat joprofesionale ndaj të ndjerit Aleks Keka, që u vra pas një shpërthimi të telekomanduar me eksploziv. Ndërsa Policia nuk ka dalë ende me një pistë zyrtare hetimi, në një konferencë për shtyp dje nga Shkodra, Ndoka e konsideroi vrasje politike vdekjen e kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka. Ndoka deklaroi se pista e vetme që duhet hetuar nga ana e Policisë është ajo e vrasjes politike. Por, siç shtoi ai, Policia, në vend të hetojë rastin, bën deklarata joprofesionale ndaj figurës së Kekës, që u vra tragjikisht nga shpërthimi me eksploziv. Në këtë pikë Ndoka shprehet i indinjuar se PDK-ja nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të marrë masat e para kundër padrejtësive. “PDK-ja ka gati një denoncim në prokurori për fyerjet e Topallit ndaj PDK-së, si dhe një padi ndaj Policisë për deklaratën e saj që ka përbaltur Kekën pas vdekjes”, - u shpreh Ndoka. Sipas tij, vrasja e Kekës ishte një goditje e rëndë për PDK-në dhe për familjen e të ndjerit.
Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe europarlamentari italian, Luixhi Barufi, i cili aderon në Partinë Kristiandemokrate italiane dhe ndodhet në Shqipëri për të ndihmuar në fushatë PDK-në. Barufi gjatë një takimi me Ndokën në Shkodër ka bërë thirrje që të gjendet porositësi i vrasësit të Kekës, ndërsa ka theksuar se ngjarje të tilla cenojnë standardet dhe pa plotësim të standardeve Shqipëria nuk integrohet në BE.
Aleks Keka, kryetar i PDK-së në Malësinë e Madhe, humbi jetën të enjten paradite pranë Shkodrës. Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 qershor, në orën 09:45, në rrugën nacionale Shkodër-Hani i Hotit, në vendin e quajtur Grizhë. Aleksandër Keka ishte duke udhëtuar i vetëm me automjetin tip “Mitsubishi Pajero” me targë SH 2125 E, nga Kopliku në drejtim të qytetit të Shkodrës, kur makina me të cilën udhëtonte shpërtheu fuqishëm duke i shkaktuar atij vdekjen. Pas minuta pas vdekjes së tij PDK-ja akuzoi PD-në dhe kryesisht Topallin për deklarata që nxisin dhunën, që sipas tyre solli dhe vdekjen e Kekës. Në të njëjtën ditë, Policia e Shtetit, në njoftimin për shtyp e cilësoi Kekën si person që hetohej nga policia. Policia dyshonte se Keka merrej me trafiqe të paligjshme. Kjo ndezi reagimin e PDK-së, që akuzoi Policinë se po përdoret si instrument nga PD-ja në këto zgjedhje.
22 Qershor 2009