E Diel, 1 Nëntor 2026

Senati çek do të ratifikojë brenda tetorit, Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

 

 

Senati i Republikës çeke  do të ratifikojë brenda muajit tetor Protokollin e anëtarësimit të shqipërisë në NATO. Konfirmimin e dha sot Presidenti i Senatit çek, Premysl Svobotka, në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Zoti Sobotka, i cili ndodhet në Shqipëri me ftesë të Kryetares së Kuvendit, tha se ai dhe delegacioni i tij vijnë këtu si miq për të takuar miq, sipas premtimit të bërë Kryetares, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj zyrtare në Çeki. Zoti Sobotka theksoi se Çekia, vend që do të marrë presidencën e rradhës së BE-së në Janar 2009, vlerëson progresin e bërë në Shqipëri, mbështet aspiratat e saj integruese, duke shprehur bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian do të jetë i afërt. Dy vendet tona, tha zoti Sobotka, kanë kaluar një histori të vështirë nën regjimin totalitar. Por tashmë koha e totalitarizmit ka kaluar dhe jemi me të dy këmbët në demokraci. Duke e falënderuar zotin Sobotka për lajmin e ratifikimit të protokollit të NATO-s, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi gatishmërinë personale të tij dhe të autoriteteve të Çekisë për vijimin e mbështetjes së palëkundur në proceset integruese. Ju e kuptoni më mirë se kushdo historinë tonë të vështirë dhe ëndrrën tonë europiane ndaj edhe marrja e presidencës së  BE-së nga Çekia në janar 2009, është shumë e rëndësishme për ne, tha Kryetarja e Kuvendit. Duke u ndalur në fushën ekonomike, bashkëbiseduesit ndanë mëndimin se niveli i bashkëpunimit ekonomik duhet të rritet për tju përgjigjur kështu potencialeve ekzistuese. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që së fundmi kompania e mirënjohur çeke Çez, fitoi tenderin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri, si një ogur i mirë i nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit. Ne vlerësojmë faktin se tashmë tenderat në Shqipëri, theksoi zoti Sobotka, bëhen me procedura të rregullta në mënyrë që të fitojë më i miri dhe kjo është shumë e rëndësihme për të gjithë investitorët. Biznesi çek është shumë i interesuar të investojë në Shqipëri në fusha si enegjitikë, hekurudha, gaz apo naftë. Duke u ndalur në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor zoti Sobotka nënvizoi se:
Kosova ishte etapa e fundit e ndarjes nga e kaluara dhe Çekia e sheh më shumë interes këtë rajon.     Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit vlerësoi qëndrimi çek për rajonin në përgjithësi dhe ndaj Kosovës, në veçanti, duke shtuar se pavarësia e Kosovës ka shtuar stabilitetin në rajon dhe i ka dhënë nxitje proceseve të tij integruese në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Në takim u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit mes komisioneve parlamentare si dhe mbi çështjen e liberalizimit të vizave që do të ndihmonte studentët por mbi të gjitha biznesin për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik.                                                                
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›