Senatorë dhe kongresmenë amerikanë shprehin kënaqësinë për zhvillimet në Shqipëri dhe garantojnë bashkëpunim të vazhdueshëm me SHBA-të
Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në darkën me senatorë dhe kongresmenë amerikanë.
Me ftesë të organizatorëve, Senatorit Tom Coburn dhe Kongresmenit Heath Shuler, Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga Kryetari Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, mori pjesë në darkën e zgjeruar me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, mes të cilëve ish kandidati presidencial senatori Sam Brownback nga Kansas, senatorët John Thune nga Dakota e Jugut, Jim DeMint nga Karolina e Jugut, John Ensign nga Nevada, etj. dhe kongresmenët Mike Doyle, Trent Franks, Zach Wamp, Robert Aderholt, etj..
Gjatë kësaj darke një vend të veçantë iu kushtua Shqipërisë dhe reformave qeveritare. Në bashkëbisedimin e tij me senatorë dhe kongresmenë, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të arritjeve të qeverisë së tij në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, reformave ekonomike, modernizimit të sistemit të shërbimeve, investimeve, etj.. Zoti Berisha tha se ishin pikërisht sukseset e këtyre reformave, të cilat garantuan përshpejtimin e procesit të integrimit në NATO dhe në BE.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha njohu bashkëbiseduesit edhe me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke garantuar dhe deklaruar vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme. “Jo vetëm konsensusi politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për hartimin e një kuadri ligjor modern, por, mbi të gjitha, edhe përpjekjet e shumta të qeverisë për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore si kartat e identitetit, regjistri elektronik i shtetasve etj. janë një bazë e sigurt për standardet e këtyre zgjedhjeve,” u shpreh Kryeministri.
Nga ana e tyre, senatorët dhe kongresmenët amerikanë vlerësuan punën dhe reformat e qeverisë Berisha, si dhe besimin për suksese të mëtejshme. Ata garantuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë darkës mbizotëroi një atmosferë shumë e ngrohtë dhe tepër miqësore.
...