E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, ambasadorëve: Leka Zogu është ‘Naltmadhni’

Ministria e Jashtme, duke bërë edhe një gafë diplomatike, u kërkon të gjitha ambasadave të huaja në vendin tonë që në korrespondencat mes tyre, t’i drejtohen me të njëjtin titull Leka Zogut 

TIRANE-Ministria e Punëve të Jashtme nuk e konsideron veten si një institucion të një Republike Parlamentare, por si organ të një Mbretërie imagjinare. Në dikasterin e drejtuar nga Lulzim Basha, këshilltarit të tij të jashtëm, qytetarit Leka Zogu, i drejtohen zyrtarisht me titullin “Naltmadhnia e Tij”. Sic ben te ditur ne numrin e sotshem Gazeta Shqiptare, Ministria e Jashtme, duke bërë edhe një gafë diplomatike, u kërkon të gjitha ambasadave të huaja në vendin tonë që në korrespondencat mes tyre, t’i drejtohen me të njëjtin titull Leka Zogut. Konkretisht, përmes një shkrese zyrtare që mban datën 6 tetor 2008, ky institucion u shkruan mes të tjerash përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare në Tiranë se, “emri i saktë i Këshilltarit të Ministrit të Punëve të Jashtme është N.T Leka II Zogu dhe lutet që në korrespondencat e ardhshme të mbahet parasysh nga ana juaj”. Sic citon me tej Gazeta, skandali në këtë rast ka të bëjë me përdorimin e fjalës në një kontekst institucional. Lulzim Basha, si qytetar i thjeshtë mund ta quajë “Naltmadhni”, Leka Zogun, por këtë nuk mund ta bëjë në cilësinë e ministrit të Jashtëm. Në nenin 1, pika 1 e Kushtetutës, citojmë shprehimisht: “Shqipëria është Republikë Parlamentare”. Në këtë kontekst, Leka Zogu është një qytetar i thjeshtë që e pretendon fronin e Shqipërisë sipas një kriteri biologjik.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›