E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimi konfirmon bllokimin e luftës kundër korrupsionit në Bullgari

Një raport i posaçëm vë në dukje mungesën e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin në Bullgari gjatë dy viteve të fundit, qëkur vendi ia arriti të bëhej anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Bullgari është dobësuar që nga hyrja e vendit në BE më 2007 për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe aftësisë së administratës, tha në një raport të lëshuar të mërkurën (28 janar) një institucion i mirënjohur bullgar. Shpeshtësia e dhënies së rryshfetit në sektorin e biznesit në Bullgari u pakësua me 50% në dy vitet e fundit, vuri në dukje në vlerësimin e tij të nëntë vjetor të mitëmarrjes në vendin ballkanik, Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD) me bazë në Sofje. Megjithatë, shtonte sondazhi i CSD, shtetasit bullgarë po ndeshen me një presion në rritje korrupsioni në marrëdhëniet e tyre me punonjësit e administratës që nga 2004. Në 2008, tregoi sondazhi, numri i transaksioneve korruptive ishte në rreth 175,000 në muaj apo një mesatare prej 2.1 milionë në vit, një nivel i ngjashëm me atë të vëzhguar në agimin e shekullit të 21. Vitin e shkuar, rreth 65% e bullgarëve e panë rryshfetin si problemin më të rëndësishëm social që ndesh vendi. Koncesionet, prokurimet publike për ndarjen e fondeve të vendit apo BE si dhe trambat e tokës dhe pyjeve, janë kanalet kryesore për ndërverpime korruptive midis biznesit dhe politikës, thoshte CSD. "Vetëm 17,000 apo më pak se 10% e të gjitha ndërmarrjeve të pranueshme, konkuruan për kontrata qeveritare në 2008," tha në një tryezë të rrumbullakët në Sofje, autori i raportit Ruslan Stefanov. "Kjo përkthehet në gati një kandidat për tender, kështu që fituesi praktikisht dihej që më parë". Parregullsitë në prokurimin publik në dy vitet e fundit i kushtuan Bullgarisë deri në 800 milion euro në vit. Sipas CSD, morali politik dhe përgjegjshmëria e nevojshme për t'u bërë ballë formave të tilla të korrupsionit, kanë humbur, ndërsa krimi i organizuar i stilit oligarkik tolerohet haptazi. Klikat oligarkike janë lejuar të marrin kontrollin mbi të gjithë sektorët e ekonomisë dhe të përdorin burimet publike në përfitim të partive politike apo individëve, zbuloi ajo. Politikanët janë përpjekur të mbytin kritikat duke fituar kontroll efektiv ndaj OJQ-ve, tha raporti. Pak më shumë se dy të tretat e ligjvënësve bullgarë, një përpjestim i ngjashëm e ministrave të qeverisë dhe krerëve të agjensive ekzekutive dhe më tepër se 90% e kryebashkiakëve janë të përfaqësuar në bordet e drejtorëve të OJQ-ve. "Punonjës të shumtë civilë me ndikim dhe anëtarë të qeverive politike marrin pjesë në OJQ-të që veprojnë në fushat e tyre përkatëse të kompetencave", thoshte raporti. "Këto OJQ ofrojnë trainim të paguar, marrin fonde shtetërore dhe ushtrojnë ndikim në politikat," por ofrojnë pak informacion rreth veprimtarive të tyre dhe nuk hedhin dritë mbi lidhjet e tyre politike. Korupsioni politik dhe krimi i organizuar mbeten tejet të pandëshkuar, theksoi CSD. Asnjë zyrtar i lartë qeveritar, politian apo gjyqtar nuk është dënuar me të tilla akuza në Bullgari deri tani. Për më tepër, tha raporti, numri i padive të paraqitura në gjykata kundër atyre të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin ra më shumë se 30% gjatë dy viteve të fundit. Pothuajse 80% e hetimeve korruptive të nisura midis 2004 dhe 2007 janë pezulluar apo kanë përfunduar në fazën paragjyqësore. Nga ato raste që ia kanë dalë të shkojnë në gjykatë, 7% përfunduan në një marrëveshje të pranimit të fajit dhe 32% të tjera përfunduan pa një shpallje të fajësisë. "Reformat e fundit legjislative e institucionale në gjyqësor dhe zbatimi i ligjit nuk kanë shpënë, siç pritej e shpresohej, në reduktimin e mosndëshkueshmërisë për praktikat e korruptuara dhe krimin e organizuar", përfundonte CSD në raportin e titulluar "Krimi pa ndëshkim". "Çmimi për mungesën e transparencës në qeverisje dhe për korrupsionin politik do të bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe i dhimbshëm për shoqërinë bullgare me rënien e mprehtë në rritjen ekonomike më 2009," tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›