E Diel, 1 Nëntor 2026

Senatoret italiane te NATO-s, ne takim me Berishen: Mbeshtetja jone edhe per futjen ne BE

Nga takimi i sotem

Tiranë, 16 mars 14:52 NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot një delegacion të nivelit të lartë të Senatit Italian, të kryesuar nga Kryetari i delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Sergio De Grigorio dhe me pjesëmarrjen e ish Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Italisë, senatorit Lamberto Dini dhe ish Presidentit të Senatit Italian, senatorit Franco Marini.

Në takim merrte pjesë dhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Saba D’Elia.

Kryeministri tha se Shqipëria po kalon një moment historik, anëtarësimi në NATO, proces i cili nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e plotë të Italisë në çdo aspekt.

Senatorët italianë uruan Kryeministrin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e prillit, duke nënvizuar se Shqipëria do të jetë një vlerë e shtuar për NATO-n, duke qenë një vend i cili ka ndërmarrë reforma kaq të thella, i cili ka dhënë një kontribut real me forcat e saj përkrah NATO-s në disa vende dhe ka luftuar e vendosur përkrah saj kundër terrorizmit.

Këtu, Berisha i njohu senatorët italianë me ecurinë e reformave të rëndësishme, me luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit, me hapat në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit të risorsave të shumta të Shqipërisë dhe me veçanërisht në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja.

Për senatorët italianë Shqipëria është një vend me shumë interes për kompanitë italiane, interes i cili nuk ka njohur dhe nuk do të njohë rënie, me gjithë krizën ekonomike, ndërsa kanë veçuar bashkëpunimin në fushën e energjisë.

Po ashtu, senatorët siguruan Kryeministrin edhe për mbështetjen e plotë të tyre në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

e.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›