E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi: Integrimi, Shqipëria të zbatojë 12 rekomandimet e Komisionit Evropian

02-02-2012 / Gazeta 55

Për kreun e delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi 12 prioritetet e Brukselit duhet të vihen në zbatim pa humbur kohë, në mënyrë që Shqipëria të marrë  “dritën jeshile” për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave brenda 2012-ës


Bashkimi Evropian apelon sërish për zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, për procesin e integrimit. Deklarata vjen nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me ministren e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu për disa projekte të financuara nga Bashkimi Europian. Për ambasadorin Sequi, Bashkimi Europian pret që Shqipëria të nisë të zhvillojë infrastrukturën politike dhe atë institucionale. “Ne presim që Shqipëria të përmirësojë funksionimin e parlamentit, zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, legjislacionit të nevojshëm që kërkon përfshirjen e shumicës së cilësuar në parlament, sundimi i ligjit të mos vonohet, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pronësisë, shqiptarët të zotërojnë të drejta të barabarta, të respektohen të drejtat e paraburgosuve, pra presim që 12 prioritetet e KE-së të vihen në zbatim”- u shpreh Sequi. Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë vlerësoi se marrëveshja e nënshkruar sot me Ministrinë e Integrimit është vetëm një nga hallkat e zinxhirit të premtimeve të Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se të gjithë aktorët në Shqipëri duhet të marrin përgjegjësitë dhe detyrat e tyre për zbatimin e këtyre projekteve. “Europa është një partner serioz i Shqipërisë dhe Europa është e angazhuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”- tha ai. Sequi, vlerësoi gjithashtu se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian nuk është formalitet, por një shenjë e angazhimit të të dyja palëve në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara drejt integrimit europian. “Nënshkrimi i marrëveshjes është një moment përgjegjësi i Bashkimit Europian për të mbajtur premtime përsa i përket asistencës financiare por edhe edhe të Shqipërisë për të siguruar që asistenca financiare të përkthehet në zhvillim, rritje ekonimike për qytetarët shqiptarë”- deklaroi më tej ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›