E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi: Shqiptarët europianë, vlera të njëjta me popujt e BE-së

Ekspozita “Lidhje të afërta” e Roland Tashos ka qenë pikërisht eventi i parë që ka celur Muajin e Europës 2012. Një set i tërë fotografish me Ambasadorë të shqiptarizmit, sic preferoi ti quajë dhe vetë autori Tasho, erdhën në Qendrën e Informimit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Mbështetësi i kësaj ekspozite , ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi, gjatë fjalës së tij e vlerësoi ekspozitën e Tashos si formën më të mirë për të rrëfyer historinë e integrimit të Shqipërisë. Në këtë kontekst ai shtoi se shqiptarët janë europiane, pasi respektojnë dhe ndajnë të njëjtat vlera me popujt e tjerë të BE-së.
 

“Kemi kënaqësi të vecantë që e hapim me ekspozitën e Roland Tashos. Ideja për këtë ekspozitë më erdhi kur hapëm një tjetër ekspozitë të Rolandit me shqiptarët që jetonin në Francë, qofshin këto të famshëm apo jo. Pastaj mësova që ai kishte nxjerrë dhe albume të tjera në vende të tjera të Europës. Me anën e punimeve të tij ai ka sjellur një gjë tejet të vecantë, shqiptarët që përfaqësojnë Shqipërinë jashtë. Kjo është e rëndësishme, pasi është një panoramë e shqipëtarëve që jetojnë jashtë, të cilët ndërtojnë ura dhe lidhje komunikimi. Fotografitë e Tashos tregojnë historinë e integrimit të Shqipërisë. Para disa kohësh takova disa europianë në Bruksel, të rinjë shqiptarë që kishin udhëtuar pa viza. Faleminderit Roland që na solle një botë të pasur, që na pasuron dhe ne. Shqiptarët janë europiane, pasi respektojmë dhe ndajmë të njëjtat vlera me ta” tha ai.
 

Muaji i Evropës që po organizohet në bashkëpunim me ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë, autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile, është një iniciativë që përfshin veprimtari kulturore, sociale dhe politike, të cila përqëndrohen kryesisht në historinë dhe vlerat kulturore të Bashkimit Evropian, marrëdhënien e BE-së me Shqipërinë, si dhe zhvillimet e fundit në Evropë dhe Shqipëri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›