E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Të drejtat e njeriut kusht për integrimin

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Avokatit të Popullit dhe organizatat e Shoqërisë Civile ka fusha të gjera bashkëpunimi dhe për nga përmasat dhe qëllimet synon të jetë e para e këtij lloji në historinë e tranzicionit shqiptar.

"Ne vijmë në këtë ditë, pas nje eksperience tre-mujore në bashkëpunimin me shoqërinë civile, - dhe kemi tashmë bindjen se ajo ka potencialin për t'u shndërruar në një forcë të madhe të lëvizjes për të drejtat dhe liritë e njeriut”, tha Avokati i Popullit, Igli Totozani. Ndërsa kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, u shpreh se BE e mbështet institucionin e Avokatit të Popullit dhe shoqërinë civile në Shqipëri.

"Përmbushja e kritereve politike që Kopenhageni ka përcaktuar për Shqipërinë është një detyrë për Shqipërinë. Kriteri 11 dhe 12 kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e keqtrajtmit. Prandaj mendojmë se një përfshirje e zyrës së Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile do të japë një ndihmë në parandalimin e rasteve të diskriminimit të të drejtave të njeriut", tha ambasadori Sequi.

"Ne besojmë se shoqëria civile ka nevojë për t'u mbrojtur dhe promovuar dhe e bëjmë këtë në mënyrë konkrete. Besojmë se roli i fortë i shoqërisë civile dhe zyrës së AP është parakusht i procesit të integrimit sepse mbrojtja e të drejtave të njeriut janë thelbësore për vlerat evropiane", tha Sequi. Kjo, vuri në dukje ambasadori Sequi, "është arsyeja pse BE është e angazhuar dhe ka dhënë më shumë se 5 milionë euro për të mbështetur shoqërinë civile në vitet e fundit".

Nënshkrimi i Marrëveshjeve është hapi i parë në drejtim të krijimit të një Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut me funksione këshillimore pranë Avokatit të Popullit. Komisioni do të ketë në përbërjen e tij 20 anëtarë, nga të cilët 15 përfaqësues të shoqërisë civile dhe 5 personalitete të shquara e ekspertë të fushave me impakt të drejtëpërdrejtë në zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Si hap i dytë, organizatave do t’u kërkohet të përzgjedhin 15 përfaqësues të tyre për të bërë pjesë  në këtë Komision. /Start/

                                                                                             2012-04-03 14:02
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›