Sequi: Zbatoni ligjet, projektet nuk bëjnë mrekullira
1 mln euro do të financohet nga Bashkimi Europian për rregullimin e tregjeve në Shqipëri. Projekti në fjalë ka si objekt forcimin e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë, në fushën e konkurrencës dhe të ndihmës shtetërore, për të siguruar një mjedisi sa më konkurrues, si dhe të risë transparencën në zbatimin e parimeve bazë në këto fusha. Përfituesit real të këtij investimi janë ekonomia dhe konsumatori shqiptar. Ambasadori Ettore Sequi, gjatë fjalës së tij, dje në prezantimin e projektit u shpreh se ligji i dobët në Shqipëri kërkon angazhim serioz të institucioneve dhe se nuk duhen pritur çudi nga projekte të veçanta. “Bashkimi Europian nuk do të ishte tregu më i madh global, pa garantimin e konkurrencës së ndershme. Ky projekt do të ndihmojë institucionet e specializuara shqiptare të forcojnë kapacitetet e tyre. Projekti do të synojë edhe harmonizimi e legjislacionit, por ne jemi të mendimit se problem kryesor në Shqipëri është zbatimi i ligjeve. Një projekt i vetëm nuk mund të bëjë mrekulli dhe forcimi i ekonomisë së tregut kërkon përpjekje nga të gjitha institucionet”, tha ai.
Ndërsa, Drejtorja e Ndihmës Shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Anila Jani, u shpreh se bizneset shqiptare e njohin pak instrumentin dhe format e ndihmës shtetërore, që shtrihet përtej mekanizmit klasik të subvencioneve. Projekti i Bashkimit Europian konsiston kryesisht në asistencën teknike që do të japin për dy institucionet e përfshira ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Hungaria. “Veçanërisht i rëndësishëm për ne do të jetë ndihmesa për të përballur me sukses sfidat që vijnë nga përshtatja sa më e plotë e legjislacionit shqiptar me atë të BE, duke pasur parasysh dinamikën e zhvillimit të tij. Një aspekt i rëndësishëm do të jetë nxitja e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës edhe në drejtim të liberalizmit e hapjes për konkurrencën në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kjo në përputhje me legjislacionin dhe praktikën europiane të fushës, por gjithmonë duke pasur parasysh veçoritë e zhvillimit të vendit tonë“, - u shpreh drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo. Sipas saj, një veçori e vendeve si Shqipëria, që synojnë integrimin në Bashkimin Europian, është se jo vetëm duhet të mbrohet konkurrenca me anë të mekanizmave ligjorë, por edhe duhet të promovohet ajo, si në publikun e gjerë, ashtu edhe midis aktorëve e faktorëve të ndryshëm të tregut e institucioneve publike. Projekti i binjakëzimit do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me aktorët e tregut, institucionet e ndryshme dhe pushtetin gjyqësor.