Biznes në Ballkan, në Shqipëri e nis lehtë, por me kosto
Të çelësh një biznes në Shqipëri është lehtë, por kostoja është ende e lartë, krahasuar të paktën me 6 vende të tjera të Rajonit. Banka Botërore, në një raport si të bësh biznes në Europën Lindore, krahason klimën e biznesit në 7 vende të rajonit ku përfshihet Shqipëria, Bosnia, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Nga Shqipëria janë përzgjedhur Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora, të cilat krahasohen të paktën edhe me 22 qytete të vendeve të tjera ballkanike. Nga Kosova, Banka Botërore ka përzgjedhur në studimin krahasimor, Prishtinën dhe Prizrenin. Përsa i përket lehtësirave në hapjen e një biznesi, qytetet shqiptare renditen menjëherë pas katër qyteteve të Maqedonisë, duke u përfshirë në 10 –eshën e parë, ndërsa procedurat më të vështira në këtë drejtim mësohet ti kenë Serbia, Bosnja dhe Kosova. Kështu Shkupi zë vendin e parë për lehtësitë që ofron në hapjen e një biznesi të ri, ndërsa Prishtina zë vendin e fundit. Ndërsa Vlora vjen në vendin e shtatë, pastaj në tetin Shkodra, në të nëntin Durrësi dhe në të dhjetën Tirana, në renditjen prej 22 qytetesh. Shqipëria me Shkodrën zë një vend të mirë në renditje, përsa i përket lehtësive në dhënien e një leje ndërtimi. Vendin e parë në rajon, për lehtësinë në lejet e ndërtimit, e zë Nikshishi i Malit të Zi, ndërsa procedurat më të vështira i ka Beogradi. Banka Botërore thotë se, për kohën në të cilën është bërë studimi, Tirana nuk ka asnjë praktikë të dhënies së lejeve të ndërtimit. Kështu mungojnë të dhënat për ta krahasuar Tiranën me qytetet e tjera të rajonit, përsa i përket lehtësive në lejet e ndërtimit. Procedurën më të vështirë për kohëzgjatjen e marrjes së lejes e ka Monstari i Bosnjës, me më shumë se 500 ditë, ndërsa edhe në këtë aspekt Banka Botërore nuk ka asnjë të dhënë për Bashkinë e Tiranës. Qytetet shqiptare kanë zënë një pozicion, jo të mirë në renditje në procesin e regjistrimit të pronës. Të gjitha qytetet shqiptare zënë vend në dhjetëshen e fundit dhe Tirana përkatësisht në vendin e 16 ndër 22 qytetet e Rajonit. Shkodra është pozicionuar mirë në renditjen e pronës duke zënë vendin te nëntë, ndërsa vendin e parë e ka zënë qyteti Modldov, Balti. Indikatori tjetër që mat cilësinë e të bërit biznes dhe që ka bëjë me lidhjen dhe respektimin e kontratave, i jep një vlerësim mesatar Shqipërisë, Vlora dhe Shkodra kanë marrë pikë të mira në këtë renditje, por Tirana vijon të jetë dobët duke zënë vendin e 18 nga 22 qytetet. Banka Botërore, pasi ka bërë renditjen për të gjitha qytetet e rajonit, i ka krahasuar ato me renditjen e ekonomive botërore, ku për praktikat më të mira në këtë drejtim është vlerësuar më së shumti Maqedonia.