E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë- Elbasan, kredia e dytë 20 mln USD brenda një jave

SHKRUAN: Sabina Veizaj 29-06-2011 10:40

Vijon seria e financimeve të lira për rrugën Tiranë-Elbasan. Janë 20,4 mln dollarë që do të jepen nga OPEC për këtë vepër publike. Ministria e Financave ka njoftuar dje se në vijim të kërkesave për financim, për realizimin e Projektit prioritar “Rruga Tiranë – Elbasan”, Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID) ka miratuar pjesëmarrjen e vet nëpërmjet bashkëfinancimit. Në letrën dërguar Ministrisë së Financave, Fondi ka bërë me dije se pjesëmarrja në bashkëfinancim do jetë në shumën 20.40 milionë USD. Kredia ofrohet me një interes prej 3.3 % në vit, me afat maturimi prej 20 vjetësh, nga të cilat 5 vitet e para pa pagesë. Po sipas Financave, hapi i dytë do të jetë shqyrtimi i projekt/marrëveshjes dhe më pas nënshkrimi i saj nga zyrtarët ë të dyja palëve. Ky është borxhi i dytë i shtuar arkës së shtetit brenda një jave, pas kredisë prej 25 mln dollarësh, të miratuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Kjo kredi ka një normë interesi 2 % dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë. Dhe kjo mbetet kredia më e butë e dhënë ndonjëherë nga ndonjë institucion ndërkombëtar financiar për veprat publike shqiptare. Rruga Tiranë – Elbasan do të ketë një gjatësi prej 26 km, nga 55 km që është aktualisht, dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi, sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment. Tre segmentet që do të financohen përfshijnë; segmentin rrugor nr. 1, me gjatësi 13 km, që fillon nga unaza e Tiranës deri në hyrjen e tunelit, segmentin nr. 2, i cili përfshin ndërtimin e dy tuneleve të ndarë dhe me dy drejtime të lëvizjes, me gjatësi secila prej 2.1 km dhe 2.3 km dhe gjatësi mesatare prej 2.2 km dhe segmentin rrugor nr. 3, i cili ka gjatësi 10.8 km, që fillon në daljen e tuneleve në Km 15 + 200 dhe përfundon në km 26 + 000 në hyrje të qytetit të Elbasanit. Vlera totale e investimit të segmentit është 400 milionë dollarë dhe do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë. Fondi i Abu Dhabi-t - i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD. Ndërsa fondit Saudit për Zhvillim -i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD, fondit OPEC, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD, si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit. Projekti për këtë rrugë ka nisur prej më shumë sesa një viti dhe është kryer nga studio italiane “Bonifika”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›