E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Zgjedhja e Presidentit sipas Kushtetutës

 Ai nuk ka preferuar të japë “këshilla” nëse duhet të zgjidhet me konsensus apo jo, por megjithatë e vlerësoi si të suksesshme përzgjedhjen e Avokatit të Popullit nga të dyja palët.

"Duke lexuar Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është shkruar nga vetë shqiptarët, kam parë se në nenin 86 të saj, Presidenti i Republikës përshkruhet si bashkimi i shqiptarëve. Atëherë për sa i përket mekanizmit sesi mund të arrihet bashkimi, këtë pjesë ua lë juve", tha ai pas një takim me Avokatin e Popullit, Igli Totozani.

Sequi vlerësoi mjaft faktin që Avokati i Popullit u zgjodh me 127 vota dhe që maxhoranca pranoi kandidatin e propozuar nga opozita. "Është një fakt i rëndësishëm që Avokati i Popullit u zgjodh me 127 vota, pra me një shumicë të madhe. Vlerësojmë mjaft mënyrën se si u zgjodh Avokati i ri i Popullit, me një proces që ishte publik, i vështirë dhe transparent. Gjithashtu vlerësojmë edhe gatishmërinë e mazhorancës, e cila pranoi këtë kandidat që ishte zgjedhur nga ky proces”, tha ai.

Sipas ambasadorit , "askush nuk duhet të nënvlerësojë rolin tepër të madh që ka Avokati i Popullit në këtë vend". "I kam shprehur z. Totozani sot mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian dhe po ashtu i kam shprehur atij edhe mbështetjen time të plotë. Ne vlerësojmë shumë integritetin, kompetencën dhe profesionalizmin e Avokatit të Popullit si institucion, por edhe të personit vetë".

Sequi tregoi se sot kishte vënë një kravatë të veçantë që, sipas tij, simbolizon Bashkimin Evropian, sepse siç u shpreh ai, "besoj që duhej ta vija këtë kravatë kur vija në këtë institucion sepse ky institucion në fakt përfaqëson vlerat kyçe dhe thelbësore të themelimit të BE, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përfaqësimin e zërit të popullit”.

                                                                                             2012-01-12 14:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›