E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonesat e konstituimeve të këshillave, miliona lekë të bllokuara

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 21-06-2011 11:06

DURRËS- Shumë njësi vendore të qarkut të Durrësit kanë shprehur shqetësimin e tyre, në lidhje me vonesat e konstituimit të këshillave komunalë dhe bashkiakë. Bashkia më e madhe e qarkut, ajo e Durrësit, ka të bllokuara fonde të rëndësishme që lidhen me turizmin, si dhe investime në infrastrukturën rrugore dhe arsimin. Buxheti i Bashkisë së Durrësit për këtë vit nuk është miratuar akoma dhe duket se ai do të diskutohet vetëm pas konstituimit të këshillit të ri bashkiak. Edhe në rast se procedurat e konstituimit dhe mbledhjes së këshillit bashkiak do të kryhen sa më shpejt, askush nuk mendon se kjo gjë mund të ndodhë para muajit korrik. Prefekti i qarkut Durrës-Krujë, Genci Alizoti, është shprehur se deri tani KQZ nuk ka dërguar asnjë vendim për shpalljen e fituesve të zgjedhjeve të 8 majit në njësitë vendore të qarkut, si dhe për numrin e këshilltarëve në secilën prej tyre. Nga ana tjetër, konstituimi i këshillit bashkiak të Durrësit mbahet peng nga ankesa që ka bërë Partia Konservatore në Durrës, në lidhje me numrin e votave të fituara nga kjo parti për këshillin bashkiak. Në lidhje me vendimin për kandidatët, tashmë kandidatura e Vangjush Dakos ka mbërritur në gjykatë, e cila formalisht do të njohë mandatin e tij si fitues i zgjedhjeve të 8 majit për kryetar i bashkisë së Durrësit. Nënkryetari i kësaj bashkie, Adrian Çela, është shprehur se vonesa e konstituimit të këshillit bashkiak po mban të bllokuar buxhetin e vitit 2011, i cili nuk u miratua nga këshilli i vjetër për arsye politike. Çela ka shtuar se janë bllokuar gjithashtu edhe një fond prej 3 milionë lekësh të reja, i destinuar për rojën bregdetare, i cili gjithashtu ka qenë i përfshirë në buxhet, bashkë me fonde të tjera për rikonstruksione rrugësh, shkollash, kopshtesh etj. Në lidhje me këtë pretendim, prefekti Alizoti ka deklaruar se Bashkia e Durrësit nuk duhej të priste deri në fund të mandatit të këshillit, për fondet që lidhen me turizmin, pasi duhej të ishin marrë masa më parë dhe projektbuxheti të paraqitej në këshill sa më shpejt. Gjithsesi, konstituimi i këshillit të ri të bashkisë, do të bëjë që bashkia të thërrasë menjëherë mbledhjen e tij të parë, objekt i së cilës do të jetë pa dyshim buxheti i vitit 2001. Deri atëherë duhet të pritet në fakt shqyrtimi i ankesës së Partisë Konservatore nga ana e KQZ-së, e cila edhe për disa ditë të tjera do të jetë e zënë me numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara për Tiranën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›