Berisha: Problemi është opozita që s’voton ligjet
“U them shqiptarëve që absolutisht problemet janë te vetja jonë, sepse kërkesat e Komisionit janë të drejta, sepse nuk ekziston asnjë vend tjetër në të cilin nuk votohet për kërkesat e BE-së. Në Shqipëri nuk votohet, ky është një fakt”
Ngërçin politik që evidenton progres-raporti i BE-së për periudhën 2010-2011 do ta zgjidhin shqiptarët. Ky ka qenë reagimi i menjëhershëm që ka bërë kryeministri Berisha menjëherë sapo ka marrë në dorë raportin nga ana e përfaqësuesit të KE, Etore Sequi, duke lënë të kuptohet se do të jetë vota e shqiptarëve ajo që do t’i tregoi opozitës se politikat e saj kushtëzuese në Kuvend janë të gabuara. Pavarësisht kësaj, shefi i ekzekutivit duke fajësuar opozitën për vlerësimin negativ që ka marrë Shqipëria sidomos për kriterin politik dhe të një sërë reformash që kërkojnë votë të cilësuar, ka theksuar gatishmërinë e tij për t’u ulur sa më parë në tryezën e dialogut për të gjetur zgjidhjet e duhura për çdo problem, por gjithmonë brenda kuadrit kushtetues.
Reagimi
Berisha ka komentuar përgjigjen negative të BE-së për statusin, duke theksuar se
problemi qëndron te shqiptarët dhe jo te vlerësimi jo i kënaqshëm që ka dhënë Brukseli. Duke e konsideruar këtë raport si fletore pune për ekzekutivin shqiptar, ai nuk ka ngurruar të sulmojë opozitën si shkaktare që edhe këtë vit Shqipërisë i refuzohet statusi i vendit kandidat. “Unë u them shqiptarëve që absolutisht problemet janë te vetja jonë, sepse kërkesat e Komisionit janë të drejta, sepse nuk ekziston asnjë vend tjetër në të cilin nuk votohet për kërkesat e BE-së. Në Shqipëri nuk votohet, ky është një fakt”, - tha Berisha, duke adresuar përgjegjësitë tek opozita që sipas tij nuk pranon të votojë ligjet me 3/5 të cilat sipas tij përbëjnë dhe reformat kryesore. E megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj, ai garantoi ndërkombëtarët për vullnetin që ka mazhoranca për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për të nisur dialogun reforma zgjedhore. Por pavarësisht gatishmërisë për bisedime, duket se qëndrimi i mazhorancës kundrejt kësaj reforme mbetet i njëjtë, çka nuk jep garanci për zgjidhjen e këtij ngërçi të parë. Kryeministri ka bërë të ditur se mazhoranca që ai drejton mund të votojë çdo propozim të opozitës që i përmbahet 52 rekomandimeve të dy raporteve të fundit zgjedhore dhe që ka marrë më parë pëlqimin e ODIHR-it.
“Jam plotësisht i gatshëm që nesër të adresojmë reformën zgjedhore. Por rivali im më propozon një skemë qesharake. Ai dorëzoi një dokument, të cilin e studiuam dhe iu përgjigjëm privatisht, siç e deshi. Në këtë dokument u pranuan shumica dërrmuese e të gjitha kërkesave të tij. Natyrisht, nuk mund të pranohej propozimi që kishte për qëllim ta përmbyste reformën, të mos bënte reformën. Propozim që thoshte se duhet të ulemi me konsensus, me të drejtë vetoje dhe duhet të kemi të pranishëm OSBE/ODIHR-in në tavolinë, por, kur përfaqësuesit socialistë ta gjykonin të arsyeshme, t’i drejtoheshin Komisionit të Venecias - por këta që ishin të pranishëm këtu, a nuk vinin nga Komisioni i Venecias apo ODIHR-i - dhe ne t’i pranonim sinequanone. Natyrisht, kjo nuk mund të pranohet sot, as në vitin 2030.”, - tha Berisha.
Rregullorja
Berisha ka bërë të ditur dhe një sërë zhvillimesh të tjera që duket se kanë ndodhur në mënyrë jozyrtare dhe që kanë lidhje me reformën parlamentare. Ai ka bërë të ditur faktin se i ka propozuar kundërshtarit të tij politik që të mandatojnë përfaqësuesit e secilës palë që bëjnë pjesë në komisionin e PE dhe të hartojnë atë duke studiuar rregulloren e këtij institucioni propozimet konkrete. Por as kjo, sipas tij, nuk është pranuar nga opozita. Ndërkohë, duke folur për pikat e tjera të paktit prej dhjetë pikash të PS-së dhe pikërisht atyre që kanë të bëjnë me emërimet në institucionet e rëndësishme kushtetuese ose jo, Berisha ka theksuar se ajo që kërkon kreu socialist është që çdo zgjidhje t’i lihet kreut të shtetit, duke i hequr të drejtën shumicës që të marrë vendime. “Që të gjitha ia dërgon zotit Topi. Të 7 pikat e tjera janë, të ulemi të mos biem ne dakord, por të bëjë zoti Topi ato që thotë zoti Rama. Po nuk i zgjidha me ty, i zgjidh me zotin Topi. Të ulemi për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, KLD-në etj. Zoti Topi është Presidenti i Republikës, por ky vend ka një shumicë që përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve. Sikundër Presidenti i Republikës është i pavarur dhe shumica është mbartësja e sovranitetit, dhënë me votë”, - tha Berisha ndërsa e ka konsideruar Ramën një problem serioz.