E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët: Duam bisedime për statusin

Takimi i tretë i bisedimeve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka përfunduar të premten, nuk ka sjellë ndonjë rezultat të prekshëm dhe madje nuk pritet të sjellë diçka, vlerësojnë liderët politikë të serbëve të veriut. Ata thonë se dialogun, në mënyrën dhe formatin që po zhvillohet, e kanë kundërshtuar që në fillimin e tij dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë ende. Millan Ivanoviç, nga Këshilli Kombëtar Serb i Veriut të Kosovës, thotë se bisedimet esenciale në kuadër të këtij dialogu po zhvillohen në fshehtësi dhe, sipas tij, rezultatet nuk po bëhen transparente. Ai thekson se dialogu për çështje teknike, nuk e ka dhe nuk do ta ketë përkrahjen e serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër.
Ai po ashtu kritikon autoritetet në Beograd për faktin se, siç thotë, nuk janë konsultuar me serbët e Kosovës dhe kanë krijuar një ekip për bisedime, në krye të të cilit “është njeriu, i cili nuk jeton në Kosovë dhe nuk i njeh problemet e serbëve që jetojnë në këtë hapësirë”. Edhe Marko Jakshiç, politikan serb nga veriu i Kosovës, e kundërshton dialogun në fjalë, duke thënë se ai është i panevojshëm për shtetin serb. Sipas tij, dialogu mes palës kosovare dhe serbe është i nevojshëm për Prishtinën dhe si i tillë i është imponuar Serbisë, për shkak të lëshimeve që ajo ka bërë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Të dy këta politikanë serbë thonë se, pavarësisht kundërshtimeve të tyre, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në çfarëdo rasti do të jetë i pasuksesshëm. Ivanoviç thotë se të dyja ekipet nuk e kanë legjitimitetin dhe mbështetjen e mjaftueshme nga popujt që i përfaqësojnë. Rrjedhimisht, ai shprehet pesimist për ndonjë rezultat pozitiv.
As Jakshiç nuk beson në suksesin e këtij dialogu.“Personalisht mendoj se nuk do të ketë sukses, jo vetëm për shkak të mënyrës se si po zhvillohet dialogu, por edhe për shkakun se, fundja, këto bisedime që po zhvillohen, sa u përket serbëve, nuk janë të domosdoshme”, deklaron Jakshiç, duke kritikuar palët në bisedime për “jotransparencë”, lidhur me përmbajtjen e diskutimeve në takime.

Sidoqoftë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Zyrtarët e bllokut kanë thënë se në dialog janë hapur disa tema për diskutim, porse ende nuk është arritur asnjë marrëveshje lidhur me çështjet e parashtruara.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›