E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët: Edhe zgjedhjet lokale

Serbët që jetojnë në Veri të Kosovës nuk kanë hequr dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale. Ata kanë planifikuar që sot t`i organizojnë votimet për udhëheqësit komunalë, ndaras prej zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Zgjedhjet serbe, të cilat janë paralajmëruar të mbahen edhe në Kosovë, të dielën, më 6 maj, në Veri të vendit do të mbahen ndaras, ato presidenciale dhe parlamentare nga ato lokale, konfirmojnë politikanët serbë nga veriu Kosovës.

Marko Jaksic, politikan nga Veriu i Mitrovicës, ka thënë për Radion Europa e Lirë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe do të mbahen nën organizimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

Ndërkohë që zgjedhjet lokale, nga të cilat, siç thotë ai, serbët nuk kanë hequr dorë, do të mbahen në Zveçan dhe Zubin Potok, në bazë të shpalljes së tyre nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, si dhe nën organizimin e Komisioneve zgjedhore komunale.

Mirëpo, siç thotë Jaksic, serbët në këto dy komuna do ta respektojnë kërkesën e OSBE-së, që zgjedhjet lokale të mos mbahen në hapësirat ku mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Zgjedhjet do të mbahen të ndara dhe zgjedhjet lokale nuk do t’i kontrollojë OSBE-ja.

“Zgjedhjet do të mbahen të ndara dhe zgjedhjet lokale nuk do t’i kontrollojë OSBE-ja. Distanca e vendit ku do të votohet për zgjedhjet lokale nga vendi ku do të votohet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, do të jetë diku prej 50 deri në 100 metra. Kështu ka kërkuar OSBE-ja”, konfirmon Jaksic.

Në anën tjetër, organizimin e zgjedhjeve lokale serbe në dy komunat në Veri të Kosovës, njohësit e rrethanave politike në Kosovë e vlerësojnë si veprim klandestin.

Ata thonë se organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe në Kosovë, duhet shikuar nga këndi i veprimeve që quhen të rregullta, pavarësisht dëshirës së palës kosovare, për shkak se serbët me shtetësi të dyfishtë kanë të drejtë për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare.

Tomislav Nikolic gjatë fushatës së tij për zgjedhjet e 6 majit ishte edhe në veri të Kosovës...

Por, pavarësisht se institucionet e Kosovës patën paralajmëruar se nuk do ta lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në vend, Jaksic thotë se bazuar në përvojën e deritashme, nuk pret që paralajmërimet e tilla mund të evoluojnë drejt ndonjë intervenimi që do të kushtëzonte nxitjen e ndonjë incidenti

“Deri më tash nuk ka pasur asnjëherë probleme. Është e drejta e njerëzve që të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur, kështu që unë nuk pres se mund të ketë ndonjë problem”, shprehet Jaksic.

Sidoqoftë, zyrtarët e institucioneve të Kosovës, por edhe ata ndërkombëtarë kanë theksuar se mbajtja dhe rezultati i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk do të kenë asnjë efekt ligjor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›