Serbët bllokojnë sërish EULEX-in, KFOR-i kundërpërgjigjet

(E Plotësuar) KFOR-i rreth orës 9:00 të ditës së sotme ka bllokuar lëvizjen në pikën e tyre të kontrollit në Jagnjenicë, pasi serbët në fshatin fqinjë Zhupçë kanë ndaluar veturat e EULEX-it të cilat po udhëtonin drejt vendkalimit kufitar në Bërnjak.
Lëvizja në këtë rrugë është normalizuar pas marrëveshjes së arritur midis përfaqësuesve të KFOR-it dhe atyre të serbëve lokal, të cilët, sipas mediave serbe, janë pajtuar që të respektojnë marrëveshjet e mëhershme që në drejtim të Bërnjakut të lëvizin tri vetura të EULEX-it nën përcjelljen e KFOR-it.
Sot ishte hera e pestë që vetëm brenda pak ditëve, strukturat ilegale në veri të Kosovës, kanë penguar lëvizjen e veturave të EULEX-it.
Serbët bllokojnë sërish EULEX-in
Disa automjet të EULEX-it janë penguar mbrëmë në vendin e quajtur Dolani, në komunën e Zveçanit nga serbët e dirigjuar nga strukturat ilegale që të vazhdonin rrugën e tyre kah vendkalimi kufitar në Jarinje.
Automjetet e EULEX-it, pas një qëndrimi të shkurtër, janë kthyer prapa dhe nën përcjelljen e policisë së Kosovës kanë shkuar për në drejtim të Zubin Potokut, përkatësisht në fshatin Jagnjenicë, raportojnë mediat serbe.
Sipas tyre, përfaqësuesit e Kuvendit të komunës së Zveçanit theksojnë se me përfaqësuesit e KFOR-it dhe të EULEX-it kanë arritur të shtunën një marrëveshje me të cilën parashihet që deri të mërkurën e ardhshme të lejon nga tri automjete me kushtin që në to të ketë vetëm përfaqësues të Misionit të BE-së në Kosovë dhe të mos vozisin doganierët e Kosovës.
Serbët theksojnë se janë marrë vesh që mund të kalojnë nga tre “Xhipa” në ditë, dhe jo më shumë, në mënyrë që EULEX të mund të arrijë deri në pikën e fundit të veriut nëpërmjet rrugëve.