Serbët e veriut bllokojnë magjistralen e Ibrit

Rreth 50 serbë kanë bllokuar sot rreth orës 7:15 minuta një korsi të magjistrales Mitrovicë – Leposaviq, përkatësisht te kryqi në fshatin Rudarë të Zveçanit.
Qytetarët serbë kanë vendosur një automjet në njërin shirit të rrugës në këtë lokacion për të bllokuar qarkullimin në këtë drejtim dhe për të penguar doganierët e Kosovës dhe të EULEX-it në drejtim të Jarinjës.
Mësohet, po ashtu, se motivi i kësaj bllokade nga ana e serbëve është bllokimi i djeshëm i të gjitha mallrave serbe nga Serbia në Kosovë, nga ana e autoriteteve kosovare, raporton rtk.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci tha se sot ka patur probleme me transportimin e oficierëve doganorë në pikën kufitare të Jarinjës. Ai tha se sa i përket problemit të maunave që transportonin mallra të Kosovës sot rreth orës 10;00 policia serbe i ka lejuar ato të kalojnë në pikën kufitare të Jarinjës dhe atëherë edhe pala kosovare ka lejuar mallrat e Serbisë të kalojnë në Kosovë.
Ndërsa rruga vazhdon të jetë e pakalueshme shkaku i bllokimit./Indeksonline/