E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e veriut synojnë autonominë dhe mendimin e GJND-së

Pavarësisht faktit se raundi i tetë i bisedimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa marrëveshje për Asociacionin e komunave serbe, liderët e të dyja vendeve kanë paralajmëruar se ende nuk ka përfunduar dialogu dhe se ekziston mundësia e arritjes së një zgjidhjeje.Por, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët ditën e mërkurë, në takimin e tyre, e kanë përshëndetur qëndrimin e autoriteteve serbe, megjithatë kanë paralajmëruar se nëse arrihet një marrëveshje që nuk është e përshtatshme për ta, do të shkojnë drejt krijimit të Kuvendit të veriut të Kosovës dhe mundësisë për të shpallur autonomi për veriun e Kosovës.

Një gjë të tillë, të mërkurën e ka thënë Kërstimir Pantiq, zëvendës i shefit të zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili gjithashtu ka theksuar se në një rrethanë të tillë, serbët e veriut do t’i drejtohen Gjyqit Ndërkombëtar të së Drejtës në Hagë, me pyetjen “nëse një grup joformal ka të drejtë të shpallë Kuvendin dhe autonominë në një pjesë të territorit të vet”.

Por, disa liderë serbë të veriut të Kosovë situatën e tillë e vështrojnë nga pikëpamje të ndryshme dhe shprehin mendime krejtësisht të ndryshme lidhur me këtë çështje, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se ideja për të shkuar drejt një autonomie, është e drejtë, për shkak të rrethanave të krijuara, tashmë është krijuar grupi punues për të bërë përgatitjet për krijimin eventual të Kuvendit të veriut të Kosovës.

“Ne vetëm se do ta vërtetonim një status, Ne do ta kishim një Kuvend, të cilin do ta përbënin komunat dhe qytetarët e pjesës veriore të Kosovës. Natyrisht, do ta linim mundësinë e hapur që edhe komunat tjera t’i bashkohen asaj autonomie të popullit serb të Kosovës, ndërkohë që Kosova është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës së saj. Do të thotë, ky do të ishte vendim edhe në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, thotë Ivanoviq.

Por, krejtësisht ndryshe mendon lideri tjetër i serbëve të veriut, Marko Jakshiq. Ai thotë se ideja e tillë për një autonomi për veriun, nuk është diskutuar asnjëherë në mbledhjen e të ashtuquajturit Kuvend i katër komunave të veriut.

“Ne nuk kemi diskutuar asnjëherë lidhur me këtë çështje. Mendimi im personal është që serbët nuk kanë nevojë që t’i drejtohen Gjyqit Ndërkombëtar të së Drejtës, duke pasur parasysh që neve na obligon, para së gjithash, Kushtetuta zyrtare e shtetit të Serbisë”, shprehet Jakshiq.

Ndryshe, Ivanoviq thotë se një nismë e tillë për një Kuvend të veriut të Kosovës dhe autonomia e kësaj pjese, do të ishin në përputhje me gjendjen reale të krijuar në këtë hapësirë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›