E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti i lartë tregtar pengon rimëkëmbjen ekonomike

Deficiti i lartë tregtar, vazhdon të jetë ndër problemet më të mëdha të Kosovës. Kryesisht importohen produkte nga vendet e rajonit dhe eksportohen para të gatshme. Analistët e ekonomisë thonë se kjo dukuri pengon edhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Ata kërkojnë ndërrim të politikave në favor të prodhimit vendor.Statistikat e tregtisë së jashtme të Kosovës tregojnë se deficiti tregtar vazhdon të jetë ende shumë i lartë. Në janar të këtij viti janë eksportuar mallra në vlerë vetëm 21.5 milionë euro, kurse janë importuar rreth 133 milionë euro, dhe deficiti ishte rreth 111 milionë. Por mbulimi i importit me eksport arriti në 16.2 për qind, që është vlera më e lartë krahasuar me muajt e vitit të kaluar, ku më së shumti arriti në 14.5 për qind.

Ky deficit tregtar është pengesë e rimëkëmbjes ekonomike, thotë drejtori i institutit RIINVEST, Lumir Abdixhiku.

“Deficiti tregtar është problemi thelbësor i Kosovës, meqenëse Kosova importon rreth 2.5 miliardë euro mallra, kurse eksporton vetëm 300 milionë euro që do të thotë se kemi disbalancë prej 2.2 miliardë euro, para që dalin jashtë çdo vit. Pra Kosova nuk ka para brenda që të ndërtojë diçka. Përderisa kemi këtë përbërje të tregtisë do ta kemi shumë të vështirë rimëkëmbjen ekonomike”, tha ai për Radio Kosovën.

Sipas tij, fajtor për këtë gjendje që mbretëron në Kosovë që nga përfundimi i luftës, është mungesa e kapaciteteve prodhuese për ta zëvendësuar importin.

“Tashti çfarë jemi, ne jemi një popull konsumues që fatmirësisht marrim shumë para prej diasporës rreth 550 milionë euro brenda një viti, të cilat i dërgojmë prapë në konsum në vendet tjera, shpenzojmë çdo vit shumë por krijojmë pak, dhe atë pak vlerë që e kemi prapë e eksportojmë si para të gatshme në importe të produkteve. Kjo ekonomi nuk ka bazë të fortë për ta ndërruar këtë. Nevojitet një ndërrim radikal, apo një injektim i fuqishëm i politikave të sektorit privat për ta ndërruar këtë”, theksoi ai.

Gjatë vitit të kaluar janë eksportuar mallra në vlerë vetëm rreth 270 milionë, kurse janë importuar rreth 2 miliardë e 500 milionë euro, me një deficit prej 2,2 miliardë euro, apo mbulim të importit me eksport vetëm 10 për qind. Pjesën dërmuese të eksporteve e përbëjnë metalet, kurse të importeve produktet minerale dhe ushqimet. Ndërkaq partner kryesor tregtar të Kosovës janë vendet e BE-së dhe të CEFT-ës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›