E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët kërcënojnë, EULEX-i kërkon liri të lëvizjes pakushte

EULEX-i deklaron se është e domosdoshme rivendosja afatgjate dhe e pakushtëzuar e qasjes në veri të Kosovës, në mënyrë që misioni ta zbatojë detyrën e saj në lidhje me sundimin e ligjit.

Këto komente i tha Anne.Blanksma, zëdhënëse e EULEX-it, në lidhje me vendimin e sotshëm të ashtuquajturit Shtab i Emergjencës i komunës paralele të Mitrovicës, që pjesëtarëve të EULEX-it të mos u lejohet qarkullimi mbi lumin Ibër.

"Anëtarëve të EULEX-it në të ardhmen nuk do t’ju lejohen të lëvizin lirshëm në pjesën veriore të Mitrovicës. Çdo përpjekje e kalimit të dhunshëm nëpër qytet apo shkatërrim të barrikadave do ta cilësojmë si agresion të hapur, ndërsa përgjegjësinë për pasojat eventuale do ta marrin ata që i nisin veprimet e tilla", thuhet në deklaratën e këtij Shtabi.

Në deklaratë thuhet se u është dërguar ftesë KFOR-it “që t’i përmbahet mandatit të përkufizuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”. I ashtuquajturi Shtab komunal i Mitrovicës fton po ashtu qytetarët që të lajmërohen për kujdestari në barrikada.

"Qëndrimi i EULEX-it është i pandryshuar”, thotë Blaksma për Tanjug. “Është i nevojshëm instalimi i qasjes afatgjate dhe të pakushtëzuar në veri të Kosovës, në mënyrë që të zbatohet aktiviteti që ndërlidhet me sundimin e ligjit”, raporton Telegrafi.

I ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka thënë sot se është “i kuptueshëm ankthi dhe frika në mesin e popullatës serbe në pjesën veriore të Mitrovicës, por se Kuvendi i atjeshëm komunal duhet ta di se vendimin për bashkëpunim me EULEX-in nuk e marrin ata po qeveria e ardhshme e Serbisë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›